Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së rëndë të ndodhur në Prishtinë duke theksuar se raste të tilla, përveç se pikëllojnë thellë të gjithë, duhet gjendur më shumë forcë drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se lajmin për vrasjen e gruas nga bashkëshorti i saj e kishte kuptuar gjersa ishte duke shkuar në kampanjat e planifikuara në ditët kundër dhunës në baza gjinore.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë. Është fenomen tejet shqetësues vrasja e grave nga burrat e tyre”, ka deklaruar Haxhiu gjersa ka theksuar se “Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë”.
Krahas kësaj, ajo u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe nxënësve.
Pas lajmit për një vrasje në Prishtinë, të cilën Policia e Kosovës e ka cilësuar si të rëndë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detaje tronditëse.
Në komunikatën e tyre thuhet se burri me inicialet I.G i cili u vetëdorëzua në polici, dyshohet se me sëpatë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.
Prokuroria jep detaje, dyshohet se burri e vrau gruan e tij me sëpatë