Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas gërmimeve në Prekaz të Skenderajt, janë gjetur mbetjet mortore të tre individëve.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se mbetjet do të dërgohen në IML për vazhdimin me procedurat e ekzaminimit dhe të indentifikimit mjekoligjor.
“Në Prekaz të Poshtëm gjenden mbetjet mortore të tre individëve. Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen e EULEX, KQPZH dhe PK, kanë lokalizuar mbetjet kockore të së paku tre individëve të cilët dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë”, shkroi ajo.
Në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore, sipas ministres Haxhiu, punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, të enjten ka njoftuar se gjatë gërmimeve që kanë bërë në fshatin Prekaz, në Skenderaj, kanë hasur në mbetje mortore/eshtra, që thuhet se mund të jenë të personave të zhdukur.
Në njoftimin e Komisionit thuhet se, pas disa orë gërmimesh, ekipet kanë hasur dhe zhvarrosur mbetje mortore.
“Pas gërmimeve në lokacionin Arbanë, Prizren, sot gjatë ditës, ekipet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë vazhduar gërmimet edhe në lokacionin e varrezave në fshatin Prekaz, Skenderaj. Pas disa orë gërmimeve, ekipet kanë hasur dhe zhvarrosur mbetje mortore (eshtra) të viktimave që mund te jetë në Listën e personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e Komisionit në Facebook.
Në njoftim bëhet e ditur se gërmimet po vazhdojnë ende dhe se pas rezultateve të ADN-së do të njoftohet për identifikimet e mundshme të këtyre trupave.
Gjenden mbetje mortore në Prekaz, dyshohet të jenë të personave të zhdukur në luftë