Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e pyetur se a do të kalojë në Kuvend Projekt-Kodi Civil, ka thënë se për t’u bërë anëtarë të Këshillit të Evropës dhe ndonjë organizate ndërkombëtare duhet të respektohen të drejtat e njeriut.
Haxhiu ka theksuar se nga takimet që kanë pasur me grupet parlamentare, mund të konsiderohet si një siguri se ky kod civil do të miratohet pasi siç thotë ajo është i rëndësishëm që të procedohet.
“Nuk them se secili do të votojë për, ka disa që kanë ndryshimet dhe bindjet e tyre, por duhet angazhohen për të drejtat e njeriut, për hir të proceseve që kemi aplikuar si në KiE”.
Ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se në këtë mbledhje është miratuar vendimi për ekspertët gjyqësorë.
“Për herë të parë në Kosovë po rregullohet me ligj se çka është eksperti, kush mund të kryejë ekspertizë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë ndër të tjera projektligji adreson kushtet për heqje të licencës përmes kushteve dhe kritereve të veçanta.
“Tashmë nuk vlen thënia “njëherë ekspert gjithmonë ekspert”, ka vijuar ajo gjersa ka thënë se licenca vlen 5 pesë vjet dhe se kur ka keqpërdorime gjatë licencimit, mund të mos i vazhdohet licenca.
Po ashtu ajo ka thënë se përmes këtij projektligji, do të ketë lista unike për caktimin e ekspertëve, si për gjykata, prokurori e të tjera.
“Nuk mund të caktohet eksperti sipas dëshirës së gjyqtarit, por sipas listës së ekspertëve”.
Ndërsa për konkursin e noterëve, ajo ka theksuar se ende janë duke e pritur Gjykatën e Apelit të thotë fjalën për këtë rast.
“Po presim vendimin, që të mund të hapet konkursi i ri që rritë transparencën dhe cilësinë”, ka theksuar ajo.
Ndërsa për marrëveshjen për burgje me Danimarkën, Haxhiu ka thënë se është finalizuar dhe se shumë shpejt do të dërgohet në qeveri.
“Atje do të ketë zgjedhje, nuk do të duhej që ne të ngutemi ta procedojmë këtë marrëveshje, por ka vullnet edhe te Danimarka edhe tek ne si Qeveri”.