Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në Ministerialin e organizuar në Shkup, krahas përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit.
Në këtë organizim, ajo ka përmendur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin e ka fajësuar direkt Serbinë.
“Një sulm i tillë, pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, ne tashmë kemi prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga fqinji ynë verior, Serbia” ka thënë Haxhiu teksa ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen.
Ndër të tjera, ministrja Haxhiu ka theksuar se me përkushtim Republika e Kosovës po përmbush obligimet e saj që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke i kushtuar një kujdes të veçantë edhe Raportit për Vendin të Komisionit Evropian si dhe ka diskutuar për rezultatet përmbajtjesore në sundimin e ligjit, luftën kundër-korrupsion, reformimin penal dhe civil si dhe rezultatet konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut mes tjerash.
“Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë juridik të shteteve tona në rajon, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është domosdoshmëri e secilit nga ne dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët”, ka thënë Haxhiu, thuhet në njoftimin e MD-së.
Ministrja Haxhiu ka vlerësuar reagimet e aktorëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamentin e Evropës e cila dënon këtë akt.
Ajo ka përmendur edhe raportet ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit, për të cilat tha se Kosovën e renditin “në top vendet me përparimin më të madh për vitin 2022”.
Haxhiu ka theksuar se Kosova është rreshtuar krahas aleatëve perëndimorë për të dënuar agresionin rus në Ukrainë.