Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se jo më kot ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që ishte në krye të çështjes përgjatë zhdukjes së 11-vjeçares në qershor.
Në një konferencë për media krahas Kryeministrit Kurti, gjersa të dy kanë kritikuar sistemin gjyqësor, Haxhiu ka thënë se arrestimi i gjashtë personave do të mund të kishte ndodhur më herët.
“Së pari, pas asaj që ka ndodhur me fëmijën 11-vjeçar ka pasur dy dorëheqje dhe ne urojmë që të ketë edhe të tjera për faktin se si e kuptojmë ka edhe zyrtarë të cilët nuk i kanë kryer detyrat e tyre pas asaj që ka ndodhur. Unë kam kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë sepse para dy ditësh u arrestuan gjashtë persona që dyshohej të kenë dhunuar 11-vjeçaren në qershor të këtij viti. Po të punonte prokuroria në kohë ata persona do të arrestoheshin shumë më herët, kjo ndodhi dy muaj më vonë”, ka thënë Haxhiu.
Këtë të fundit e ka mbështetur edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka numëruar rastet e neglizhencës së sistemit gjyqësor krahas dënimeve ndaj përdhunuesve.
“Sipas të dhënave për vepra penale të dhunës seksuale mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merre me mend…”,ka thënë Kurti gjersa ka theksuar se mbi 85 për qind e rasteve ishin vajza të mitura.
Ndër të tjera, si rrjedhojë e kësaj, Kurti ka thënë se nuk është çudi që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë kërkuar akte morale nga përgjegjësit e institucioneve.
Nga ana tjetër, Haxhiu ka thënë se mbeten për diskutuar me Ministren Nagavci që lënda e edukimit seksual të jetë pjesë në arsim.
Haxhiu ka bërë të ditur se dokumentacioni për Vetting-un do të dorëzohet të dielën e 4 shtatorit në Kuvendin e Kosovës.
Në një konferencë për media krahas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Haxhiu ka thënë se reforma në drejtësi do t’u mundësojë vetëm atyre që kanë integritet dhe e arsyetojnë pasurinë e tyre të jenë në sistemin e drejtësisë.
“Sot po e dorëzojmë dosjen e Vettingut në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kuvendi do të ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë por edhe Ministrisë së Drejësisë përmes ekspertizës dhe punës konkrete”, ka thënë Haxhiu.
Gjersa ka theksuar se lajmi për dhunimin e 11-vjeçares ishte tronditës, Kurti ka thënë se sistemi i drejtësisë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Një vajzë e mitur e moshës 11 vjeçare dyshohet se u dhunua nga disa persona për orë të tëra në Prishtinë. Rasti pretendohet se nisi në një park të qytetit, ku tre persona fillimisht e ngacmuan me fjalë 11 vjeçaren, e më pas edhe nisën dhunimin ndaj saj.
Përgjatë të shtunës, janë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohet se kanë të bëjnë me zhdukjen e 11-vjeçares përgjatë muajit qershor të këtij viti.