Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka krahasuar këtë vendim me atë të ish-policit serb në Kosovë, Dejan Pantiq, i cili nga masa e paraburgimit kaloi në arrest shtëpiak.
“Ish-policit Dejan Pantiq që akuzohet se plagosi policin e Kosovës, iu caktua masa arrest shtëpiak. Azem Kurtaj pjesëtar i FSK-së akuzohet se plagosi dy qytetarë serbë, i caktohet masa e arrestit me burg”, shkroi Haxhiu, teksa shtoi “krejt dhe drejt” si dhe “barazi dhe drejtësi”.
Ndryshe, seanca gjyqësore për caktimin e masës ndaj pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili dyshohet se ka plagosur dy të rinj serbë, u mbajt të dielën.
Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se është vlerësuar se ekziston dyshimi që në një fshat të Komunës së Shtërpcës, i dyshuari me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S dhe S.S.
Më 6 janar, Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.
Lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë, PK-ja ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin A.K.
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë