Haxhiu: Prej se kemi ardhur në qeverisje, Kosova ka pasur vlerësime pozitive nga raporte kredibile

Pasi Kosova është ranguar në vendin e dytë nga “World Justice Project”, për përmirësim në fushën e sundimit të ligjit, ministrja Haxhiu ka thënë se është hera e parë që një raport nuk ka përmendur ndonjë interferim politik në sistemin e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e Kuvendit të Kosovës. 27 tetor, 2022





Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e 27 tetorit në Kuvendin e Kosovës ka thënë se prej që qeveria Kurti ka ardhur në qeverisje, gjithmonë ka pasur vlerësime pozitive nga raporte kredibile.

Ajo ka thënë se vlerësimi nga “World Justice Project” ka vlerësuar punën e qeverisë për realizimin e reformave në drejtësi.

Sipas saj, “World Justice Project” e ka ranguar Kosovën të dytën në botë sa i përket përmirësimit në fushën e sundimit të ligjit dhe është hera e parë që nuk ka përmendur ndonjë interferim politik në sistemin e drejtësisë.

“Në vend se të na vononi reformat që kemi nisur, ju bëj thirrje që të na bashkoheni t’i përfundojmë këto reforma”.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se nuk mund të quhet si progres ky raport.

“Kosova është më keq në renditje, prej kur ka ardhur kjo Qeveri”, ka thënë ajo.

Sipas saj, realiteti dhe e vërteta është më ndryshe sesa paraqitet në raport.

Ndërkaq, ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se në ndryshimet e Kodit Penal që do të hidhen për ratifikim shumë shpejt në Kuvend, është shtuar një nen që penalizon dhunën ndaj grave që merren me politikë.

“Më lejoni që t’i bashkohem thirrjes së deputetes Time Kadrijaj që të ndalet dhuna ndaj grave që merren me politikë dhe jo vetëm. Sepse ne kemi të gjitha format e dhunave edhe me gratë e tjera në Republikën e Kosovës. Shumë shpejt do të vijnë ndryshimet e Kodit Penal ku kemi shtuar një nen që penalizon dhunën ndaj grave që merren me politikë. Duke parë këtë dhunë verbale ndaj grave politikane dhe ato që kanë poste publike, bën që të tjera gra të dekurajohen për të marrë një post publik apo politik”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, kjo do të bëhet që të mos ketë dekurajim të grave që merren me politikë.

Ndryshe, të mërkurën e 26 tetorit, Kosova është renditur si shteti i dytë në botë në përmirësimin e fushës së sundimit të ligjit për vitin 2022.

Në Indeksin vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, Kosova renditet e dyta kurse shteti i parë në këtë listë sipas kësaj organizate është Hondurasi.

“Vendet me rënien më të madhe të sundimit të ligjit këtë vit janë Sudani, Mianmari, Haiti, Afganistani dhe Nikaragua. Vendet që përmirësuan rezultatin më të madh për sundimin e ligjit këtë vit janë Hondurasi, Kosova, Belize, Moldavia dhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raportin e “World Justice Project”.

Tutje, në indeksin e tyre thuhet se dy përmirësuesit kryesorë të këtij viti janë Kosova dhe Moldavia.

“Hondurasi, Belize dhe Shtetet e Bashkuara rifituan terrenin e humbur pas zgjedhjeve të fundit dhe ndryshimeve në administratë. Megjithatë, rezultati i Shteteve të Bashkuara mbetet nën nivelet e vitit 2020. Dy përmirësuesit e tjerë kryesorë këtë vit, Kosova dhe Moldavia, po kërkojnë në mënyrë aktive anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës në rrjete sociale ka shkruar se ka thënë që ky publikim do të thotë se po funksionojnë reformat e nisura nga ta në sistemin e drejtësisë.

“Këtë vit ‘World Justice Project’ e ka renditur sërish Republikën e Kosovës numër 1 në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Ajo gjithashtu e ka renditur Kosovën numër 2 në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”, ka shkruar Kurti.

Sipas publikimit të Indeksit, vendet që qëndrojnë më së keqi sa i përket përmirësimeve në sundimin e ligjit janë shtetet si: Sudani, Birmania, Haiti, Afganistani dhe Nikaragua.

World Justice Project: Kosova e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika