Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për dështimin e konstituimit të legjislaturës së re, duke i cilësuar deklaratat e tyre si hipokrite.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka publikuar një video nga seanca konstituive e vitit 2014, ku shihet Hashim Thaçi duke marrë pjesë në votim si deputet, ndërkohë që siç ka thënë ishte ende kryeministër në detyrë.
“Për opozitarët dhe hipokrizinë me veprimin e sotëm e deklarimet e tyre. Ja një shembull tipik për të kuptuar që situata e sotme nuk përbën asgjë ndryshe nga praktikat e mëhershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Por, kujtojmë se në vitin 2014 nuk ka ekzistuar Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ky ligj është miratuar më vonë, konkretisht në vitin 2019, dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2020.
Pra, në kohën kur Hashim Thaçi si kryeministër në detyrë u betua si deputet në vitin 2014, nuk ka pasur ndalesë ligjore që e ndalonte një ministër apo kryeministër të bënte betimin si deputet, sepse nuk ekzistonte Ligji për Qeverinë siç e njohim sot.