Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka shprehur kritikat e tij ndaj dy ministrave të Qeverisë së Albin Kurtit, respektivisht ministres Albulena Haxhiu dhe ministrit Xhelal Sveçla, lidhur me sundimin e ligjit.
Ai ka vazhduar tutje me akuza duke thënë se njësitet elitare të Policisë po marrin masa kundër krimit dhe se asnjë kërkesë nuk i plotësohet në përputhje me kërkesat e tyre të drejta.
“Dy ministra të Kurtit rrahin gjoks për sundim ligji, por e vërteta është se sundimit të ligjit nën arrestime dhe parandalim të krimit, po i prin bash ai që s’po e duan për kryeprokuror të shtetit, e jo këta dy. Po ashtu, njësitë elitare të Policisë po marrin plumba në aksione kundër krimit e asnjë kërkesë nuk u plotësohet në përputhje me kërkesat e tyre të drejta. E del tipi lëshon deklaratë që ai po ‘udhëheq’ aksione. Lejoni shtetin ta kryejë punën se ju jeni bërë pengesë politike. Ata zbatojnë Kushtetutën e jo agjendën e majtë!”, ka shkruar Haziri.
Ai ka përfunduar postimin duke shprehur keqardhje për atë që ai e quan “mandat të humbur” dhe duke thënë se mashtrimeve po u vjen fundi sepse Gjilani dhe Kosova meritojnë më shumë.
“E dështimin monumental që e pa Kurti sot në administrimin, e jo qeverisjen në komunën e Gjilanit, tentoi ta mbulojë me mashtrim frapant për kinse ‘projekte gjigante’. Megjithatë, urime rifillimi i ‘projekteve të Lutës’, siç i referoheni ju. E keni deformuar projektin e parkut për persona me aftësi të kufizuar për të keq dhe projektin e Stanishorkës nga 1.2 milionë euro, e keni dyfishuar në 2.5. Dy vite të humbura e fatkeqësisht duket se do të jetë mandat i humbur. Mashtrimeve e kamuflimeve po u vije fundi sepse Gjilani dhe Kosovë meriton më mirë!”, ka përfunduar ai.