Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar të shtunën vonë Shqipërisë porosinë e parë prej dy helikopterëve UH-60 Black Hawk, duke e cilësuar mbërritjen e helikopterëve ushtarakë amerikanë në Tiranë si historike.
Këta janë helikopterët e parë të këtij lloji të blerë nga Shqipëria në ShBA falë ndihmës së kësaj të fundit prej 50 milionë dollarëve.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë tha se helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të Forcave Ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”, tha Ambasada amerikane.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi mbërritjen e këtyre helikopterëve si një investim “shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit, në bashkëpunim me aleatin strategjik, ShBA”.
Ai theksoi në rrjetin social Facebook se ky investim ndikon drejtpërdrejt në rritjen dhe modernizimin e Forcave Ajrore të Shqipërisë, shkruan REL.
Edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, e quajti të rëndësishëm për vendin pajisjen me helikopterët dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.
Ai shtoi se mbrojtja dhe siguria e vendit mbeten prioritet “absolut”.