Numri i qyterëve të cilët po kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, është rritur gjatë të martës së 12 korrikut.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, bëri të ditur se të martën janë edhe rreth 100 qytetarë me simptomat si barkqitje, vjellje e temperaturë, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Janë shtuar rastet, janë edhe 100 persona të tjerë sot”, deklaroi Ballazhi, teksa shtoi se “situata po mirëmenaxhohet”.
“Kemi mbështetje nga Ministria, Komuna e Vitisë. Shqetësuese është paniku, për dallim nga gjendja momentale”, ka thënë Ballazhi në Magazina në Radio Dukagjini.
Ballazhi shtoi se ende nuk ka një rezultat se nga po vjen ky helmim i qytetarëve, duke i ftuar këta të fundit t’i ndjekin rekomandimet e IKSHPK-së, që uji të vlohet para përdorimit.
Sa i përket furnizimit me barna esenciale, Ballazhi pohoi se janë pajisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja.
Ndryshe, edhe Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në e Hanit të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji.
Përveç në komunën e Hanit të Elezit, MSh-ja ka bërë furnizimin me barna edhe në komunën e Kaçanikut, për shkak të helmimit të qytetarëve nga uji i kontaminuar.
Në njoftimin e saj, MSh-ja ka treguar për llojet e furnizimeve dhe sasinë e tyre në dy komunat e lartcekura:
Po ashtu, MSh-ja ka bërë të ditur se komunat e tjera si ajo e Vitisë dhe e Ferizajt, janë në gjendje gatishmërie për ta ndihmuar komunën e Hanit të Elezit, derisa situata të qetësohet, pas dyshimeve për helmime nga uji i pijes.