Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) konsiderohet të jetë ndër institucionet më të rëndësishme në vend pasi ka përgjegjësi të mbrojë sigurinë kombëtare dhe interesat e Kosovës.
AKI luan një rol të rëndësishëm në monitorimin e kërcënimeve potenciale dhe në ndërhyrjen në situata që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit.
Ndjeshmëria për kryerjen e detyrave në AKI, bën që përgjegjësitë të jenë mbi supet e zyrtarëve, të cilët duhet të mbajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit për të siguruar që puna e tyre të jetë e efektshme dhe në përputhje me ligjin.
Ekspertë të sigurisë vlerësojnë si çështjet kryesore që personat e punësuar në AKI mos të kenë ndikime politike si dhe e kaluara e tyre të jetë e pastër nga ana ligjore ashtu edhe profesionale.
Në fillim të këtij muaji, kjo agjenci ka shpallur konkurs për disa vende pune, ku janë të specifikuara kualifikimet dhe përgjegjësitë.
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami në një prononcim për KosovaPress thotë se një kandidat i cili konkurron për oficer të inteligjencës, përveç aftësive profesionale të kërkuara për drejtimin përkatës, me rëndësi është edhe integriteti i tij personal dhe familjar.
Ai vlerëson si kriter domethënës që kandidati të rrjedhë nga një familje patriotike, kështu duke qenë i gatshëm në çdo kohë të sakrifikojë dhe të punojë për shtetin e Kosovës.
“Një kandidat i cili konkurron për oficer të inteligjencës, përveç aftësive profesionale në drejtimin përkatës se ku kërkohet dhe çka kërkon Agjencia e Inteligjencës, kandidatit i duhet që të verifikohet, t’i bëhet certifikata e sigurisë, e në kuadër të certifikatës së sigurisë secili kandidat duhet të ketë integritetin e vet dhe integritetin familjar. Këtu shikohen gjeneza e kandidatit, nga cila familje rrjedh, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që kandidati të ketë një backround të vetin përveç personal edhe atë familjar. Zakonisht në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës duhet të ishin anëtarë të familjeve rezidente ndaj okupatorit serb…Duke pasur parasysh që Kosova ka qenë në okupim, jo vetëm në atë kohë por edhe sot besoj që Serbia ka qoftë informatorë, qoftë bashkëpunëtor dhe agjent të vet në territor të Kosovës. është e rëndësishme që kandidati të ketë integritetin e vet personal por edhe familjar që rrjedh nga një familje patriotike, atdhetare i cili është i gatshëm në çdo periudhë në çdo kohë të sakrifikojë dhe të punojë për shtetin e Kosovës”, thotë Islami.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi për KosovaPress e vlerëson si shumë të rëndësishëm faktin që mos të ketë ndikime politike në përzgjedhjen e kandidatëve për pozita në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, për çka potencon se në të kaluarën ka pasur të tilla.
Përveç kësaj, verifikimi strikt i së kaluarës të kandidatëve që konkurrojnë për punë në AKI, është fakt tjetër relevant që Ibishi përmend.
“Të bëhet verifikimi i së kaluarës së tyre, për shkak të vetë specifikave që ka vetë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe normal sipas profilit të vendit të punës ashtu siç është e rregulluar. Pasi që ne nuk kemi një diskuinitet, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është formuar sipas ligjit në qershor të vitit 2018, kur është miratuar ligji për AKI-në, ështëdashur kohë të bëhet rekrutimi, seleksionimi dhe realisht, në atë kohë për shkak tëvetë diskunitetit që s’kemi pasur një agjencitë tillë në krahasim me vendet tjera edhe të rajonit edhe të ish Jugosllavisë… E mira e të mirës do të kishte me qenë që mos të ketë ndikime, por realisht ka pasur ndikime politike edhe në përzgjedhje të stafit të lartë por edhe të punonjësve të tjerë…Ta ketë verifikimin strikt të kaluarës, mos të ketë të implikuar ndonjë shkelje në aspektin edhe të kundërvajtjeve por edhe të veprave penale. Mos të jetë i ndikuar politikisht, në kuptim të asaj për struktura politike, të jetë i besueshëm dhe i përkushtuar për profesionin që e bënë dhe aftësitë personale”, thekson Ibishi.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) u krijua zyrtarisht më 19 qershor 2019, pas miratimit të Ligjit për themelimin dhe funksionimin e saj në vitin 2018./KP