“Ne së bashku me ministren e Drejtësisë dhe ekipin e saj, dhe me këshilltarët e mi që i kam kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocid të Serbisë në Kosovë, për periudhën e luftës së fundit dhe me këtë rast do ju njoftojmë kur i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve gjigante.”
Kanë kaluar gati 2 vjet, prej që kryeministri Albin Kurti, paralajmëroi se kanë filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Por, për punën që kanë bërë deri më tash dhe nëse ka ndonjë kohë se kur do të dorëzohet, Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që më herët kishte deklaruar se janë duke punuar në të, këtë të martë tha se informacionet duhet të kërkohen nga Zyra e Kurtit.
Por, pesimist se Kosova do arrijë ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, është Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
“Është shumë e rëndësishme që një herë të vlerësohet se sa janë gjasat që të fitohet të mbrohet suksesshëm një padi e tillë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në rend të parë Kosova në këtë moment nuk mund nuk është palë e asaj gjykate, nuk mund të e dërgojë një padi atje, po edhe nëse hapet mundësia së shpejti duhet të vlerësohet shumë mire se a ka gjasa të fitohet ajo padi, se nëse kish me u hedh poshtë kam frikë që konsekuencat kishin me kanë të mëdha.”, ka thënë Blakaj.
Njëjtë mendon edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili thotë se ky është vetëm një premtim, që ua shton më shumë dhimbjen familjarëve të të vrarëve gjatë luftës.
“Kjo nuk është e mundur për shkak se Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as palë nënshkruese e Konventës për eliminimin e të gjitha formave të gjenocidit, për këtë arsye një premtim i tillë është jo real, dhe ngritja e një padie të tillë nga ana e Kosovës, do shpallej një padi e palejuar për këtë arsye është shumë problematike, fakti i një premtimi i një padie të tillë, derisa e njëjta nuk është juridikisht i mundur.”, ka thënë Shala.
Sipas FDH-së së pari institucionet e Kosovës, do duhej të punonin në dokumentimin e krimeve të luftës, e që do ndihmonte pastaj edhe për padinë ndaj Serbisë.“Çka është shumë e rëndësishme, në fakt unë mendoj se Kosova po e humb, hapin me kohën që të dokumentoj krimet e luftës, kjo kish me qenë me rëndësi që të mbledhen provat kudo që është e mundur që të dokumentohen të gjitha krimet e luftës, e pastaj nga ajo dokumentin mund të nxirret njëfarë përfundimi se a mund të bëhet padi apo jo.”, ka theksuar Blakaj.
Në Kosovë në luftën e fundit, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, derisa sipas të dhënave të Fondit, muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999, me më shumti masakra, e me mbi 4 mijë persona të vrarë.