Hetime për transplantim të dyshimtë veshkash në Kroaci – i përfshirë një donator kosovar

Për shkak të dyshimeve për trafikim të organeve në vitin 2019, në Kroaci, ministria e Shëndetësisë e Kroacisë, ka ndaluar përkohësisht programin e transplantimit të veshkave nga donatorë të gjallë në Qendrën Spitalore në Zagreb

Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë e Kroacisë ka ndaluar përkohësisht programin e transplantimit të veshkave nga donatorë të gjallë në Qendrën Spitalore në Zagreb.

Kjo për shkak të dyshimeve për trafikim të organeve atje, në vitin 2019.

Siç raporton Radio-Televizioni Kroat (HRT), bëhet fjalë për dhurues të veshkave nga Serbia dhe Kosova – “të dy me status më të ulët social” – ndërsa pranuesit e organeve janë burra nga Kroacia.

Ministria kroate e Shëndetësisë ka deklaruar se rasti, fillimisht, është dorëzuar në Dhomën e Mjekëve të Kroacisë, për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës Mjekësore, ndërsa më pas edhe në Prokurorinë e Shtetit, shkruan REL.

Duke iu përgjigjur akuzave për trafikim organesh, Qendra Spitalore në Zagreb tha se “të gjitha transplantimet janë kryer me miratimin e Komisionit të Etikës” të kësaj qendre.

“Të gjitha aktivitetet dhe procedurat e ndërmarra janë identike me procedurat që kryhen në të gjitha qendrat e tjera të transplantimeve në Republikën e Kroacisë, ku bëhen transplantime të veshkave nga një donator i gjallë, që nuk ka lidhje me pranuesin”, thuhet në një deklaratë të Qendrës Spitalore në Zagreb.

Në Kroaci, transplantimi i organeve nga donatorë të gjallë, që nuk kanë lidhje me pranuesin, është i mundur.

Kontrollet janë të rrepta dhe donatorët duhet t’u nënshtrohen testeve specifike psikologjike, miratimit nga ekspertë të qendrës së transplantimit dhe komisionit të etikës së institucionit shëndetësor ku kryhet transplantimi, raporton HRT.

Reklamimi i disponueshmërisë ose nevojës për organe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Avokatja Nevena Alinoviq, nga Departamenti i Shkencave Ligjore në Universitetin e Splitit, tha për HRT-në se transplantimi i organeve në rastet kur personi dhurues është viktimë e trafikimit me qenie njerëzore, ndëshkohet me dënimin më të rëndë – deri në dhjetë vjet burgim.

Sipas HRT-së, Kroacia, me më shumë se 100 transplantime veshkash në vit, është në mesin e vendeve udhëheqëse në botë.

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika