Prokurorja Speciale, Drita Hajdari ka folur për masakrën e Mejës, për të cilën ka thënë se ka qenë rasti që është hetuar gjatë dhe më kompleksi.
Ajo ka shtuar se rastin Meja e ka pranuar në fund të vitit 2018, e cila përfundoi me një aktakuzë prej 53 të pandehurish prej të cilëve 16 janë persona të rangut të lartë policor e ushtarak dhe një komandant i njësisë paramilitare.
“Kam punuar me shumë energji, Meja ka kërkuar shumë kohë shumë angazhim. Të akuzuarit janë të gjithë serb dhe dy rom. Meja ka ndodh sipas një aksioni ushtarak, policor, paramilitar, të koordinuar shumë mirë mes këtyre forcave serbe” – ka thënë Hajdari.
Ajo ka thënë se kjo masakër ka qenë ndër më tragjiket të ndodhura në Kosovë por që ende nuk mund ti bëjnë publik emrat e atyre që e kanë udhëhequr., raporton Kallxo.com.
“Kur të krijohen kushtet ligjore kjo aktakuzë do të publikohet në tërësi. Mirëpo tani është herët me i publiku emrat, jam e kufizuar me ndalesat ligjore. Mirëpo kjo aktakuzë do të publikohet në tërësi sepse nuk i ka këto ndalesa si i kemi për dhunë seksuale gjatë luftës” – ka shtuar Hajdari.
Dosja e Mejës, shpjegon Hajdari, është shumë voluminoze.
“Janë intervistuar qindra dëshmitar okular, të mbijetuar të masakrës, familjar të viktimave por nga 370 viktima, 18 janë akoma të zhdukur.
Ndërsa shumica e kufomave është bartuar pas luftës nga Batajnica në Kosovë. Këto viktima fillimisht ishin të varrosura në një varrezë masive në afërsi të Gjakovës.
Pastaj i kanë zhvarros i kanë dërgu në Batajnicë”, ka thënë Hajdari.
Masakra e Mejës është kryer me 27 prill të vitit 1999 ku u vranë 377 civilë shqiptar nga policia dhe forcat ushtarake serbe.