Shtatë persona u vunë në pranga në Westphalia të Gjermanisë, nën dyshimet se po krijonin një celulë terroriste islamiste dhe se kanë mbështetur grupin e dhunshëm militant, Shteti Islamik(ISIS).
Ata thuhet se kanë qenë anëtarë të një dege të “Shtetit Islamik” dhe kanë ardhur në Gjermani pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Tani policia ka arrestuar shtatë terroristë të dyshuar.
Autoritetet e sigurisë gjermane kanë arrestuar anëtarë të një rrjeti të dyshuar terrorist islamik në lokacione të ndryshme në North Rhine-Westphalia.
Sipas Zyrës së Prokurorisë Federale, gjithsej shtatë persona u arrestuan pas urdhërarresteve përkatëse. Gjashtë prej tyre janë shtetas nga Taxhikistani, ndërsa një është nga Kirgistani.
Të dyshuarit “e kanë njohur njëri-tjetrin për një kohë të gjatë dhe ndajnë një qëndrim radikal islamik”, sipas prokurorisë federale gjermane.
Sipas hetuesve, ata i kishin identifikuar madje edhe shënjestrat për sulme të mundshme e kishin tentuar të siguronin edhe armë. Gjashtë prej tyre kishin nisur të mblidhnin para për Shtetin Islamik që nga prilli i vitit 2022, dhe vazhdimisht i kishin dërguar fonde grupit të terrorit jashtë kufijve, raporton DerSpiegel, transmeton Portali Dukagjini.
Megjithatë, nuk besohet të kenë arritur të zhvillonin ndonjë plan konkret për goditjet që kishin në plan të ndërmerrnin. Të arrestuarit pritet të dalin shume shpejt përpara organeve kompetente.