Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Christopher Hill, në panelin “E ardhmja e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të pajtohen që “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet, veçanërisht për shkak se kjo ishte e paraparë në marrëveshjen e 10 viteve më parë”, të cilën, ai e vlerësoi si një periudhë shumë të gjatë.
Hill ka thënë se marrëveshjet duhet të respektohen, dhe se ky është një test për autoritetet në Kosovë që të kuptojnë se çfarë duhet bërë për t’i përmbushur standardet evropiane.
“Arsyeja e dytë është se nuk duhet të jesh historian apo antropolog për ta ditur që serbët kanë jetuar me shekuj në Kosovë dhe kanë të drejtë që ta vendosin për të ardhmen e tyre”, ka thënë ai, shkruan Kosovo-Online.
Ndryshe, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Serbi, Christopher Hill, kishte deklaruar disa herë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit.
Sipas tij, themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente”.
“Unë mendoj se ka një nevojë urgjente që të gjithë të bien dakord për këtë dhe të kuptojnë se pasi të angazhoheni për diçka, duhet ta përmbushni,” ka thënë Hill.
Ndryshe, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qëndrimi i ShBA-së është që ky Asociacion nuk duhet të jetë Republikë Serbe dhe as me kompetenca ekzekutive.
Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se një asociacion njëetnik nuk është i mundshëm në Kosovën me kushtetutë shumetnike.