Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Ukraina e Kosova janë dy situata krejt të ndryshme, ndërsa ka bërë thirrje që ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999, të mos lidhet me atë që po ndodh sot në Ukrainë.
“Kur bëhet fjala për Kosovën dhe Serbinë, ato janë vende fqinje. Serbët jetojnë në Kosovë dhe ka shumë gjëra në Kosovë që janë të rëndësishme për Serbinë. Fqinjësia e mirë duhet ta zgjidhë këtë. Mënyra e duhur është dialogu dhe negociatat në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë Hill në intervistë për mediumin serb “N1”.
Hill ka shtuar se të gjitha elementet duhet të jenë në tavolinën e negociatave, dhe se nuk mund të negociohet duke thënë “për këtë dua të flasë, e për këtë jo”. Por sipas ti, nuk ka ende një angazhim të të dyja palëve në këtë drejtim.
“Ne flasim për integrimet euroatlantike, edhe ato janë gjithashtu element në tryezën e bisedimeve. Kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flitet për këtë. Dekurajohem kur shoh njërën palë që dëshiron një gjë, por nuk dëshiron që në tavolinën e negociatave të jetë një gjë që dëshiron pala tjetër”, ka thënë Hill.
Gjithashtu, Hill ka thënë se Serbia duhet të tregojë se në cilën anë është.
“Ndryshe nga e kaluara kur në Serbi është menduar se ekziston një rrugë e tretë, që Serbia të mos jetë as në Lindje as në Perëndim, por disi e veçantë, të shkojë rrugës së vetë, tash shumica e serbëve mendojnë se ekziston një rrugë e duhur dhe një e gabuar, dhe se duhet zgjedhur”, ka shtuar Hill.
Hill ndër të tjera, ka shtuar se serbët duhet të zgjedhin, dhe siç thotë ai, “kanë zgjedhur se e ardhmja është Perëndimi e jo Lindja e padefinuar”.