Zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hipper, ka theksuar domosdoshmërinë e harmonzimit të politikës së vizave në vendet e Ballkanit Perëndimor, me atë të BE-së.
Shqipëria dhe Serbia janë përmendur si dy vendet, të cilave mund t’iu pezullohet udhëtimi pa viza nga Presidenca çeke deri në fund të këtij viti. Kjo për shkak të numrit të madh të migrantëve të parregullt që hyjnë në BE.
Në një intervistë për DW-në, Hipper ka thënë se Serbia është zotuar të përafrohet plotësisht me politikën e vizave të BE-së.
“Ne punojmë ngushtë me Serbinë dhe partnerë të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Siç u theksua nga Komisioni në Këshillin e Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme, muajin e kaluar, është thelbësore që partnerët e BP të harmonizojnë politikat e tyre të vizave me atë të BE-së, për të siguruar një migrim të menaxhuar mirë. Serbia pritet të përafrohet plotësisht me politikën e vizave të BE. Serbia është zotuar të marrë masa të shpejta dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër. Komisioni po monitoron dhe ka theksuar nevojën e harmonizimit të plotë të strategjisë së vizave nga Ballkani Perëndimor në kontekstin e Raporteve të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave, Raporteve të Zgjerimit dhe takimeve të rregullta të Nënkomisioneve për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme”, ka thënë ajo.
Sipas saj, është Ballkani Perëndimor, ai i cili duhet të të harmonizojë plotësisht politikën e vizave me BE-në si pjesë e politikës së zgjerimit. Krahas kësaj, ajo ka theksuar se komisioni ka ndjekur çështjen dhe se ai ka përsëritur rekomandimet për përafrimin e plotë në paketën e zgjerimit të vitit 2022, dhe do ta bëjë këtë edhe në raportin e pestë mbi mekanizmin e pezullimit të vizave, i cili pritet të dalë në mes të nëntorit.
E pyetur se a e konsideron Bashkimi Evropian ndalimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor si një mënyrë efikase për të reduktuar migrimin e parregullt drejt vendeve anëtare dhe gjithashtu kërkesat e emigrantëve të parregullt për azil në vendet e BE-së, Hipper thotë se bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor është një ndër pikat fokusuese.
“Përqasja jonë është të angazhohemi me partnerët e Ballkanit Perëndimor. Në fillim të muajit të kaluar, në tetor, Zëvendëspresidenti , Margaritis Schinas, vizitoi katër vende të Ballkanit Perëndimor për të trajtuar numrin në rritje të të ardhurve përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, ku theksoi nevojën që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor të përafrojnë politikat e tyre të vizave me atë të BE-së. Komisioneri Johansson ka vazhduar dialogun me shtetet anëtare dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor në javët në vijim”, ka deklaruar Hipper.
Ajo ka theksuar se BE mbetet e përkushtuar në luftën kundër rrjete kriminale me ç’rast, ka theksuar se kjo është arsyeja parandalimi, dhe lufta kundër kontrabandës është vendosur në qendër të përqasjes ndaj migracionit në kuadër të Paktit të Ri për Migrimin dhe Azilin.
“Prioriteti ynë mbetet të përqëndrohemi në bashkëpunimin praktik, operacional, në veçanti për të luftuar rrjetet e kontrabandës. Ne po ndërmarrim hapa thelbësorë në përpjekjet për të luftuar kontrabandën e migrantëve dhe po bëjmë përparim drejt arritjes së objektivave të përcaktuara në Paktin e Ri për Migracionin dhe Azilin”, ka deklaruar ajo.