Profesori i historisë, Muhamet Mala, në emisionin “Personale” ka thënë se shqiptarët nuk duhet të lidhin aleanca në baza fetare, pasi sipas profesori të historisë, kjo do të “dobësonte kohezionin e brendshëm të shqiptarëve”.
Mala ka theksuar se shqiptarët duhet të lidhen me aleanca që kanë interesa strategjike.
“Sa i përket perspektivës të ardhmes, shqiptarët nuk duhet të lidhin aleanca fetare asnjëherë, për arsye se lidhja në aleanca fetare e dobëson kohezionin e brendshëm të shqiptarëve, të cilët nuk janë vetëm të një feje, prandaj mund të shihet te statistikat fetare. Por, për shqiptarët feja është vetëm një element i identitetit të tyre. Mandej është elementi dytësor, elementi unifikues, i përbashkët, që është i ngjashëm për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, është gjuha. Prandaj shqiptarët nuk duhet të lidhin aleanca në baza fetare qysh kanë ndodhur me popujt e tjerë ortodoksë, të cilët në aspektin fetar janë homogjenë, i takojnë një feje. Shqiptarët duhet të lidhen me ato aleanca që kanë interesa strategjike.
Më tej, Mala ka thënë se shqiptarët në aspektin fetar duhet të kultivojnë tolerancën fetare dhe të tregojnë identitetin tyre evropian.
“Feja e luan rolin e vet (sa i përket marrëdhënieve me Turqinë), në politikë nuk është parësorja, tek e fundit neve në ’99 na shpëtuan aleanca e NATO-s, e cila nuk i shikoi elementet fetare. Shqiptarët në aspektin fetar duhet ta kultivojnë tolerancën fetare, duhet ta tregojnë identitetin e tyre evropian… Shqiptarët asnjëherë nuk kanë luftuar në aspekte fetare”, ka thënë profesori Mala