Talat Xhaferi është emëruar si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që e pranon këtë pozitë shtetërore.
Me 65 vota pro dhe 3 kundër deputetët votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan qeverinë teknike, derisa deputetët e opozitës shqiptare nuk ishin prezent në sallë.
Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.