Ajo çka ju mbeti në gjysmë herën e parë, e vazhduan me 1 shtator.
Gjuajtjet me armë e rrahjet në mes grupit Sekiraqa e atij të “Capave”, nuk u ndalën.
Të dyja grupet të cilat të paktën publikisht, konfliktin e filluan në muajin mars të vitit 2024, ku Pajtim Gashi nga grupi “Capat” kishte mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës. Ky i fundit është njëri nga të plagosurit mbrëmë.
Ndaj Shkumbin Sekiraqës, prokuroria ngriti aktakuzë për këtë ngjarje vetëm 4 ditë para rastit të së dielës, e që sipas aktakuzës së siguruar nga televizioni Dukagjini, gjendet në paraburgim nga 3 qershori 2024.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht,” thuhet në aktakuzë.
Aktakuza tregon se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, dhe kishte shtënë në drejtim të Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij,” thuhet në aktakuzë.
Një tjetër vepër penale që i ngarkohet Sekiraqës nga Prokuroria e Prishtinës është ajo e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armës pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen në rast dhe në Prokurori ka thënë se i qëndron pas asaj deklarate.
E i dëmtuari Pajtim Gashi, duke e përshkruar ditën kritike, kishte thënë se pranë biznesit familjar kishte ardhur një person me veturë, i cili i kishte thënë “pse po më kqyr” dhe kishte filluar ta shante.
Pasi ishte larguar rreth 15 metra, tha se e kishte ndalë veturën dhe kishte filluar ta shante, e që më pas kishte ardhë edhe një tjetër person, i cili nuk kishte folur asgjë.
Më pas, kishte deklaruar se i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, e kur tentoi t’ia merrte armën, personi tjetër e ka goditur në qafë dhe kokë me grushte e shqelma, si pasojë e të cilave ishte rrëzuar.
Sipas tij, i pandehuri kishte shtënë 5-6 herë, e kishte deklaruar se Shkumbin Sekiraqën nuk e kishte njohur më herët dhe as tani, dhe se nuk kishte pasur asnjëherë probleme me të.
Pak orë pas kësaj ngjarje, natën në drejtim të shtëpisë së Sekiraqëve ishte gjuajtur me armë, e që dyshohet se gjuajtjet ishin nga familja Gashi ose siç i njeh Prishtina që nga paralufta “Capat”.
Historik kriminal por me dënime të lehta ka edhe Sali Sekiraqa, babai i Shkumbinit.
Sali Sekiraqa akuzohet për dy vepra penale, njëra është për lëndim të rëndë trupor i akuzuar bashkë me një person tjetër, ndërsa tjetra për mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.
Sali Sekiraqa, ani se recidivist, asnjëherë nuk është mbajtur në burg dhe 4 herë është dënuar me gjobë, 2 herë me nga 300 euro, një herë me 250 dhe një herë 1,200 euro.