Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptarë, Skënder Hita ka thënë se gjatë protestave janë arrestuar 167 persona dhe janë proceduar penalisht 388 të tjerë. Ndërkohë, shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor.
Në një konferencë për mediat, Hita tha se pezullimet lidhen me tejkalimin e detyrës, mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi.
“Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës”, deklaroi ai.
Hita theksoi se çdo rast i tejkalimit të kompetencave do të trajtohet sipas ligjit. Sipas tij, efektivët janë udhëzuar vazhdimisht që gjatë ndërhyrjeve dhe vetëmbrojtjes të respektojnë procedurat dhe proporcionalitetin në përdorimin e forcës.
Ai mbrojti përdorimin e mjeteve për ruajtjen e rendit, duke thënë se ato parashikohen nga legjislacioni dhe duhet të përdoren në raport me shkallën e rrezikut.
Duke paraqitur bilancin e punonjësve të dëmtuar, kreu i Policisë tha se 132 efektivë kanë pësuar lëndime, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër e Lezhë. Disa prej tyre, sipas tij, vijojnë të trajtohen në spital.
“Gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastika, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera”, tha Hita.
Drejtori i Përgjithshëm ngriti shqetësimin edhe për thirrje për dhunë në rrjetet sociale, veçanërisht në grupe të hapura së fundmi në Telegram. Sipas tij, të dhënat e mbledhura gjatë hetimeve tregojnë se këto thirrje synojnë nxitjen e sulmeve ndaj policisë me mjete të ndryshme, përfshirë lëndë djegëse dhe plasëse.
“Edhe gjatë paradites së sotme, në këto rrjete janë publikuar thirrje që protestuesit e maskuar të sigurojnë mjete të ndryshme për të sulmuar Policinë dhe për t’u vënë zjarrin automjeteve të saj”, deklaroi ai.
Hita tha se Policia e Shtetit po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këto veprime, si dhe ka marrë masa për mbrojtjen e efektivëve, institucioneve dhe pronës publike e private.