Taulant Hodaj, avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në një linjë telefonike të drejtpërdrejtë në emisionin “Magazinë” në Radio Dukagjini, ka folur rreth tërheqjes së avokatëve mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se është “shqetësuese” për mbrojtjen e Hashim Thaçit tërheqja e avokatëve mbrojtës.
Avokatët nga ana tjetër kanë të drejtë të tërhiqen në situata të tilla, pra kur nuk iu kryhen pagesat.
“Normal që avokatët kanë pasur të drejtë dhe kanë të drejtë, nëse klienti nuk mundet t’i përgjigjet marrëveshjes me palën që kanë në këtë rast, dhe nga informacionet që kemi marrë publikisht si në seancë, si dhe nga familjarët e zotëri Thaçit, shihet që aty ka një pajtim të dyanshëm që këta avokatë të tërhiqen dhe arsyeja është që nuk mund t’i paguajnë pasi kanë edhe shumë avokatë të tjerë”.
Është shqetësuese për këtë proces se nuk është tërheqja e parë, por duhet kuptuar se kjo është një kosto e lartë nga ana tjetër.
“Deri tani janë tre avokatë kryesorë që po tërhiqen së bashku me disa avokat të tjerë, pra prej fillimit të procesit”, ka thënë tutje Hodaj.
Derisa të familjarizohen avokatët e rinj me lëndën, këta aktualë do të jenë në dispozicion të tyre, por se “është shqetësuese kjo tërheqje, sidomos kur jem diku afër mesit të procesit”.
“Nuk është mirë për mbrojtjen, por që kjo çështje është analizuar që një kohë të gjatë dhe janë përgatitur avokatë të tjerë të mbrojtjes së zotëri Thaçit dhe që të procedojnë tutje që të mos lënë asnjë hapësirë apo mungesë në përfaqësim”
Nëse vjen një ekip i ri i duhet kohë e gjatë deri sa të familjarizohen me lëndën, andaj edhe tërheqja e avokatëve duhet të marrë pëlqimin edhe nga ana e gjykatës dhe janë të obliguar të përfaqësojnë pa marrë parasysh pagesën apo jo, ka thënë tutje Hodaj.
Megjithatë, në parim kjo tërheqje nuk i bën mirë procesit, por nëse avokatët e tjerë janë më të përgatitur edhe mund të kontribuojnë më denjësisht mbrojtjes.
“Kanihere ndryshimi i avokatëve është i mirë për procesin, por zakonisht nuk është… megjithatë kjo mund të shihet në vijim”.
Sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka thënë që deri më tani ka bërë pagesa mbi 3.5 milionë për mbrojtjen e Thaçit, Hodaj ka thënë se “Ministria e Drejtësisë në rastin e Thaçit ka marrëveshje me avokatin Luka Mishetiq, ndërsa në anën tjetër në përfaqësim janë edhe avokat të tjerë, ku edhe Mishetiq është, por po besoj se kjo marrëveshje me ministrin është me pëlqimin e zotëri Thaçit, por kjo ndoshta ka krijuar këtë diskrepancë mes pagesave të avokatëve, sepse zotëri Mishetiq është paguar nga fondet publike, ndërsa avokatët e tjerë nuk janë paguar sepse nuk kanë qenë as të prezantuar nga zotëri Thaçi dhe as nuk kanë pasur marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka bërë disa ndryshime në Udhëzimin Administrativ sa i përket fondeve, dhe se këto ndryshime i ka pasur edhe në diskutim publik. Sipas tij, “ndryshimet kanë të bëjnë me disa kufizime të pagesave”, por se ky ndryshim nuk ka hyrë në fuqi ende, ka përfunduar Hodaj.