Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësime për rritjen e tatimit në pronë në vitin 2025.
Ai ka deklaruar se fatura e këtij tatimi është rritur deri në 60 për qind krahasuar me vitin 2021.
“Viti 2025 nis me fatura të rritura të tatimit në pronë. Në një rast konkret, fatura është 60% më e lartë krahasuar me vitin 2021”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.
Deputeti i LDK-së ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për vendime të gabuara, duke thënë se qytetarët po bartin barrën e këtyre politikave përmes rritjes së kostove të jetesës.
“Pasojat e qeverisjes së mbrapshtë 4-vjeçare po i vuajnë qytetarët me rritje të tatimit në pronë, me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe të shportës së konsumit të përditshëm”, ka shtuar ai.