Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar një varg kritikash për Qeverinë aktuale, duke thënë se Kosova “kurrë nuk ka qenë më keq” sesa që është tash, në disa sfera të rëndësishme shtetërore.
Sipas Hotit, Kosova asnjëherë më parë s’ka qenë më keq sesa në politikën e jashtme e të brendshme, në raportet me aleatët, në investime kapitale e kështu me radhë.
“Kosova kurrë nuk ka qenë më keq në politikën e brendshme e të jashtme. Kurrë nuk ka pasur sanksione dhe kurrë nuk i ka pasur të cenuara raportet me aleatët. Kurrë nuk ka pasur më shumë kontrata njëburimore për projekte kapitale. Kurrë nuk ka qenë më keq gjendja me investime kapitale në rrugë e në projekte të tjera. Kurrë nuk ka qenë më i dobët bashkëpunimi i Qeverisë me komunat. Kurrë nuk ka qenë më i keq bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sindikatave e shoqërisë civile. Kurrë nuk ka qenë më e mbyllur e më linçuese Qeveria ndaj mediave. Kurrë nuk janë sulmuar deputetët e opozitës në parlament nga Qeveria. Kurrë nuk janë mbyllur spitalet rajonale apo klinikat e QKUK-së për operacione të pacientëve. Kurrë nuk ka qenë gjendja më keq në komunat në veri se tani”, shkroi Hoti.
Po ashtu, sipas Hotit, asnjëherë më parë nuk kanë emigruar më shumë qytetarë se sa në këto dy vite duke i përjashtuar vitet e 90-ta.
Asnjëherë më parë sipas tij nuk ka pasur më shumë qytetarë që kanë shprehur gatishmëri për të emigruar.
Ai u shpreh se 57 për qind e qytetarëve duan të emigrojnë.