Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve. Ai ka thënë se ligji i miratuar në vitin 2015 nga Qeveria Mustafa, i cili përcakton listën e mallrave, për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së prej 8%, mund të zgjerot ende, tashmë kur çmimet po rriten.
Sipas tij, ministri i Financave duhet ta nxjerrë një akt nënligjor, për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar, të cilave mund t’iu ulet tatimi nga 18% në 8%.
“Ndërkaq, pika 3, e të njëjtit nen, specifikon se: ‘Ministri i Financave mund të nxjerrë akt nënligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar, sipas Shtojcës III të këtij ligji’. Shtojca III përmban listën e mallrave ushqimore për konsum të njeriut dhe të kafshëve, farërat, bimët, e shumë mallra të tjera, për të cilat mund të reduktohet TVSH-ja nga 18% në 8%”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndër të tjera, ai ka shkruar se është e pakuptueshme se pse ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk e redukton TVSH-në edhe për mallrat tjera, përvec atyre që tashmë e kanë të reduktuar, siç janë ato të ujit, energjisë elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore.