Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ndau 17.5 milionë për KOSTT-in për të paguar borxhin ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri duke thënë se “para se të nisin festën e vitit të ri ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat” teksa ka theksuar se vite me radhë shanin për të njëjtën gjë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar.
Ai ka vazhduar me kritika ndaj Qeverisë duke thënë se “zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, ndërsa të arrestuarin për terrorizëm e liruan”.
“Kjo është qeverisje se jo mahi”, ka vijuar Hoti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 117-të të mbajtur në mënyrë elektronike ka ndarë 37 milionë e 500 mijë euro për furnizim me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.
Prej këtyre mjeteve buxhetore, 20 milionë euro janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe 17 milionë e 500 mijë euro janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).