Gjendjen ekonomike në vend, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e konsideron si gjendjen më të rëndë ekonomike që nga paslufta. Sipas tij, vlera e buxhetit për vitin e ardhshëm, është më e ulët sesa viteve të kaluara, për shkak të normës së lartë të inflacionit.
Hoti ka thënë se fuqia blerëse e këtij buxheti është më e vogël krahasuar me buxhetet e viteve paraprake. Ai ka theksuar se si pasojë e mosveprimeve të Qeverisë, ekonomisë vendëse i mungojnë rreth 500 milionë euro.
Ndonëse thotë se si opozitë e kanë të pamundur rrëzimin e kësaj Qeverie, deputeti i LDK-së thotë se të njëjtën e bëjnë skandalet e ngjarjet që ndodhin në Kosovë.
“Unë jam i bindur se nuk ka logjikë që të zhvillohet debat pozitë-opozitë, siç duhet në një vend demokratik. Në një vend demokratik, një parti politike e merr mbështetjen qytetare e partitë e tjera dalin në opozitë, dhe kjo e fundit është si mbikëqyrëse e Qeverisë dhe kur të vijnë zgjedhjet e rregullta kërkon besimin qytetar. Nuk jemi në një situatë të tillë, ne tani duhet të kujdesemi që të ndërpritet kjo formë e qeverisjes. Historikisht nëse e sheh, asnjë herë opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë, sepse nuk i ka votat. Qeverinë e rrëzon ngjarjet që ndodhin, veprimet që ndodhin. Me këto veprime unë nuk shoh se si mund të vazhdohet kjo formë e qeverisjes”, ka thënë Hoti, duke shtuar se të gjithë sektorët në vend janë të bllokuar.
Ish-kryeministri ka përmendur edhe skandalet që ndodhën në vonesat në emërimin e ministrit të Shëndetësisë dhe grevën në arsim.
“Kurrë nuk ka qenë kaq gjendje depresive sesa është tash. Ne po e mbyllim vitin me gjendjen më të vështirë tash e 20 vite, për shkak se na u është imponuar kriza energjetike e inflacioni, por që kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ta zbusë krizën ekonomike. Shëndetësia gati tre muaj ka qenë pa ministër, duke ndodhur skandal pas skandali, në arsim greva u ndërpre, por mund të fillojë sërish në janar e viti shkollor, nuk mbaron deri në fund të janarit, për shkak se ka humb komplet shtatori”, ka shtuar ai.
Deputeti i LDK-së ka theksuar se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, pasi e konsiderojnë si antikushtetues. Njëjtë mendon edhe për Ligjin e Pagave.
“Ligji për Zyrtarë Publikë do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese, sepse ne e dërgojmë dhe jemi të bindur se e rrëzojmë, sepse ka plot nene që janë antikushtetuese. Unë kam bindjen me aq sa mund të flasë për këtë ligj, që disa prej parimeve bazë nuk janë marrë parasysh, parime në bazë të së cilët më herët Kushtetuesja e ka rrëzuar këtë ligj, që është pagë të njëjtë për punë të njëjtë e diferenca e pagave ndërmjet sektorëve etj”, u shpreh Hoti.
Ish-shefi i Qeverisë thotë se si pasojë e numrit të ulët të investimeve kapitale, ka munguar qarkullimi i 500 milionë euro, dhe se shkaku i normës së lartë të inflacionit, vlera e buxhetit për vitin e ardhshëm është më i ulët krahasuar me vitet paraprake.
“Çdo qytetar mesatar e të qartë e lëre më ekonomist. Një ekonomist me ‘dy fije mend’ e ka të qartë që buxheti për vitin 2023 është më i ulët sesa buxheti i vitit 2021 dhe 2020. Është 3.2 miliardë euro për vitin 2023, por në terma real që është fuqia blerëse, pra sa mund të blesh mallra dhe shërbime me këtë buxhet, nuk është më i madh sesa buxheti i vitit të kaluar që ishte 2. 6 miliardë. Pra nuk është rritur buxheti, por është zvogëluar për shkak të normës së lartë të inflacionit”, ka theksuar Hoti.
Tutje, ai ka potencuar se ka bërë një analizë të detajuar, ku sipas tij, sot ekonomisë së Kosovës i mungojnë minimum 500 milionë euro, për shkak të mosveprimit të Qeverisë.
“Një pjesë e tyre i mungojnë për shkak se janë stopuar investimet kapitale që është rekord i uljes në 20 vitet e fundit, edhe e ke situatën tjetër ku çmimet e naftës e disa produkteve kryesore, gati janë dyfishuar që nënkupton se ne kemi mbledhur dyfish tatim në vlerën e shtuar në ato produkte”.
Mes tjerash, Hoti ka theskuar se “prandaj ka pas bazë propozimi jonë që e kemi dhënë qysh në qershor, që të ulet TVSh-ja dhe të largohet përkohësisht akciza, dhe kjo do të kishte siguruar mbledhje të njëjtë të të ardhurave për buxhetin e shtetit sikur vitin e kaluar, por do t’i kishim disa qindra milionë euro qarkullim në ekonomi”, ka thënë ish-kryeminitsri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për EO.