Hoti me kritika për projektligjet që pritet të shqyrtohen në seancën e ardhshme

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në lidhje me projektligjin për caktimin e çmimeve tavan për produktet themelore që pritet të jetë në rend dite në seancën e së enjtes në Kuvend, ka thënë se nëse ka vlerësime se po bëhen abuzime me çmime, atëherë duhet aktivizuar Autoritetin e Konkurrencës dhe Inspektoratin e Tregut

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti





Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti në lidhje me projektligjet që pritet të jenë në rend dite në seancën e 20 tetorit ka thënë se do t’i japin goditje të rëndë ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë në Kosovë.

“Projektligji i parë cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore (drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj.). Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa të tjera që mund t’i teken Qeverisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Hoti ka thënë se në situata të luhatjes së madhe të çmimeve, siç është situata tani me inflacion të lartë, duhet përdorur mekanizma të tjerë.

“Mekanizmi i parë e prek anën e ofertës: ulja e ngarkesave tatimore dhe akcizave, të cilat ulin drejtpërdrejt kostot e furnizimit, si dhe subvencionimi i energjisë në veçanti. Mekanizmi i dytë e prek anën e kërkesës, duke mbrojtur të ardhurat e familjeve përmes:  indeksimit për normën e inflacionit të pagave në sektorin publik, pensioneve dhe ndihmave sociale, si dhe rritjes së pagës minimale në ekonomi”, ka vijuar Hoti.

Ish-kryeministri Hoti ka thënë se çdo formë tjetër e ndërhyrjes në treg e shkatërron konkurrencën.

Sipas Hotit, nëse ka vlerësime se po bëhen abuzime me çmime, atëherë duhet aktivizuar Autoritetin e Konkurrencës dhe Inspektoratin e Tregut.

“Nëse ky projektligj miratohet kështu siç është përgatitur nga Qeveria, do të falimentojnë tregtarët e vegjël dhe të mesëm. Në treg do të mbeten vetëm disa tregtarë të mëdhenj, të cilët mund të përballojnë marzhat shumë të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës që tanimë e kanë arritur”.

Ndërkaq, në lidhje me projektligjin e dytë që merret me kontratat për investimet publike, ka thënë se investimet publike kanë ngecur, andaj sipas tij projektligji krijon kaos në kontratat publike.

“Në projektligj nuk ka qartësi si definohet inflacioni në çmimet e materialeve në kontrata. Nuk dihet sa duhet të jetë inflacioni në mënyrë që të kompensohet operatori. Lista e materialeve, për të cilat operatorët do të kompensohen, është arbitrare”.

Për Hotin, anomali në vete është opinioni i Ministrisë së Financave për ndikimin buxhetor të këtij projektligji.

Sipas projektligjit, ai ka thënë se kostoja e kontratave mund të rritet deri në 20 për qind, por ministria thotë se ky projektligj nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e Kosovës.

Sipas tij, qasja e duhur për të adresuar problemin e investimeve të ulëta kapitale është duke amandamentuar ligjin për prokurim publik dhe duke indeksuar vetëm çmimet e materialeve ndërtimore sipas çmimit mesatar në bursë.

“Çdo qasje tjetër shkakton kaos dhe krijon hapësirë për abuzime”, ka përfunduar Hoti.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se seanca e radhës do të mbahet të enjten e 20 tetorit.

Kusari-Lila ka njoftuar se kjo seancë do të jetë vetëm me dy pika të rendit të ditës.

“U dakorduam që seanca e radhës të jetë më 20 tetor, në orën 10:00, me dy pika të rendit të ditës”, ka deklaruar ajo.

Pika e parë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i parë i projektligjit për mbështetjen e punëve publike, ndërkaq pikë e dytë e rendit të ditës do të jenë masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të destabilizimit në treg, apo vendosja e çmimeve tavan për produktet themelore.

Ndër të tjera, ajo ka bërë të ditur se më 27 tetor, do të ketë seancë të re plenare, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i parë i projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, dhe do të bëhet shqyrtimi i pikave të mbetura që nga 7 gushti.

Shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e seancës më 20 tetor, ka deklaruar se shqyrtimi i parë i projektligjit për mbështetjen e punëve publike është me rëndësi, pasi sipas tij, e trajton çështjen e inflacionit, kontratat e lidhura për rrugë, shkolla e çerdhe, të cilat sipas tij, nuk po realizohen për shkak të ngritjes së çmimeve.

Sipas tij, Kosova ka një ngecje dhe mungesë të realizimit të projekteve.

Ai për këtë ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka mosefikasitet të punës.

“Sikur të kishte qeveri më efikase, atëherë do të realizoheshin projektet e parapara”, ka thënë ai.

Sipas tij, për vitin 2022, është projekt-buxheti që e ka miratuar vetë kjo Qeveri, e cila ende nuk e ka shpenzuar buxhetin për këto programe të parapara.

Kusari-Lila: Seanca e radhës mbahet këtë të enjte, në rend dite dy projektligje të rëndësishme





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika