Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, pas dakordimit të Kosovës dhe Serbisë për tekstin e deklaratës në lidhje me personat e pagjetur ka thënë se për herë të parë pas shumë sfidave u arrit të imponohet adresimi i drejtë i përgjegjësisë për të zhdukurit.
“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndër të tjera, Hoti ka thënë se me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.
“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, ka vijuar ai.
Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plotë të saj.
Për zbatimin e kësaj deklarate, Hoti ka kërkuar përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).
Ai ka thënë se sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do të publikohen edhe hapat e ardhshëm, të nevojshëm për zbatimin e saj.
“Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë”.
Ndryshe, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës në lidhje me personat e pagjetur.
“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, ka thënë ai.
Borrell tha se të dyja palët janë zotuar për planin evropian si dhe për aneksin, teksa shtoi se pret nga ta t’i respektojnë detyrimet që u takojnë në mënyrë që zbatimi të fillojë sa më shpejt.