Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është takuar me ekspertin amerikan, Edward P. Joseph.
Hoti në këtë takim i ka thënë ish-zëvendësshefit të misionit të OSBE-së në Kosovë se “në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë” ngase sipas tij, Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike.
“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euroatlantik.
Sipas tij, Kosova ka bërë progres në të kaluarën, vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët.
Ndër të tjera, ai ka thënë se për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euroatlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër.
Ndryshe, më 30 maj, pas tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të.
Ndërsa, Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa të ndërmarra ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në veri.
BE-ja ka thënë se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vetëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE-ja është serioze në përpjekjet e saj për t’i ulur tensionet.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për t’i ulur tensionet.
Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qenë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë, pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.