Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka ironizuar duke thënë se ndonëse po bëhen shpenzime milionëshe nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të paparapara me ligjin e buxhetit e njëherit pa mbikëqyrje, me rëndësi po vazhdon vala e privatizimit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka numëruar dështimet në ekonomi të Qeverisë Kurti.
“1. Nga 1 prilli rriten për 14% faturat e energjisë.
- Nga 1 janari janë rritur për 100% faturat e tatimit në pronë për shumë qytetarë.
- Nga 1 marsi 2.5 miliardë euro të Trustit Pensional nuk ka kush t’i menaxhojë.
- Nga 1 marsi Banka Qendrore e Kosovës nuk ka Guvernator.
- Ka një vit që Komisioni i Ndihmës Shtetërore nuk është funksional: miliona euro shpenzime që bëhen me vendime të Qeverisë pa qenë të parapara në ligjin e buxhetit nuk ka kush t’i mbikëqyr.
Por këto janë kaluese e të parëndësishme.
Me rëndësi është që po vazhdon vala 62 e privatizimit!
Së shpejti fillojnë punën edhe Banka Zhvillimore e Fondi Sovran dhe nuk do ketë më krizë!!!”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, e ka konfirmuar për Dukagjinin të premten e 3 marsit se tarifat e reja të energjisë elektrike që pritet të jenë më të shtrenjta për 14 për qind, do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti.
14 përqindëshi mbetet opsion, ngase për të nuk është marrë akoma një vendim final.
“Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind”, ka thënë ai.