Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se për shkak të inflacionit, buxheti nominal për vitin 2023, prej 3.2 miliardë euro në terma realë tani është 2.5 miliardë euro.
Hoti e ka krahasuar këtë buxhet me atë të vitit 2022, duke thënë se është më i ulët për së paku 300 milionë euro.
“Për shkak të inflacionit prej rreth 20% për produkte të konsumit bazik, buxheti nominal për vitin 2023, prej 3.2 miliardë euro, është në fakt rreth 2.5 miliardë euro në terma real. Rrjedhimisht, ky buxhet në terma real është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro (sivjet ka qenë 2.8 miliardë euro)”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndërkaq, AAK-ja në një konferencë për media ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mospërfshirje të Ligjit të Pagave në buxhet duke thënë, “Qeveria e Kosovës i ka gënjyer të punësuarit në sektorin publik”.
Ata kanë propozuar që të ketë rritje të pagave për 30 për qind në sektorin publik, pa i përfshirë të emëruarit politikë.