Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka adresuar kritika ndaj qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë investim kapital të përfunduar gjatë këtij mandati.
Për Ekonomia Online, Hoti ka pohuar se projektet kapitale, që aktualisht janë në proces, janë të filluara nga qeveritë e mëparshme dhe nuk janë përmbyllur nga administrata aktuale. Ai thekson se, ndonëse Qeveria Kurti ka pasur në dispozicion 12 miliardë euro, ka dështuar në menaxhimin e këtyre fondeve, duke rritur subvencionet dhe duke ulur investimet kapitale.
“Te ekonomia shifrat janë aty dhe nuk mund të tejkalohen, i sheh vit pas viti raportin e buxhetit se si është përmbyllur viti sa i përket investimeve kapitale nga buxheti i shtetit vëren që diferenca është gati 1 me 2 prej planifikim krahasuar me realizimin. Këto janë prapë vetëm shifra kur del në teren e sheh që nuk ka asnjë projekt që është përfunduar, projekt i nisur nga qeveritë paraprake, njëjtë është për rrugën Podujevë, Pejë, Mitrovicë, Klinë, Gjakovë, autostradën Gjilan, me urën tek liqeni i Badocit, të gjitha rrugët që janë nisur para pandemisë prej se ka ardhur kjo Qeveri ka mbetur aty ku ka qenë, asnjë projekt i ri nuk është nisur nga kjo Qeveri. Kur del në sektorin privat nuk kemi pasur asnjë investim të madh vendor ose ndërkombëtar që krijojnë vende pune”, ka thënë Hoti.
Hoti thekson se buxheti është përkeqësuar ndjeshëm, me një zvogëlim të investimeve kapitale nga 23% në rreth 11% të buxhetit total, dhe një rritje të subvencioneve nga 30-32% në rreth 40%. Kjo strukturë e buxhetit, sipas tij, nuk mbështet zhvillimin dhe nuk kontribuon në përmirësimin e standardit të jetesës.
“Pa u krijuar kapitali i nevojshëm publik, ekonomia nuk shkon parapara. Sot ekonomisë së vendit i mungojnë më shumë se 1 miliard euro, të investime nga shteti në ekonomi. Ndoshta dy, tre fish më shumë të investimeve private nga mungesa e investimeve substanciale të jashtme dhe vendore. Buxheti total kur merret me mandatin e kësaj qeverie me buxhetin edhe të vitit 2024 shkon në 12 miliardë euro, sepse ekonomia e Kosovës është rritur nga viti në vit, këta i kanë pasur 12 miliardë euro në dispozicion për t’i shpenzuar, edhe në paga edhe në subvencione, investime kapitale”.
“Po ajo që ka ndodhur është shkatërrim shumë i madh, përkeqësim shumë i madh i strukturës së buxhetit duke i zvogëluar investimet kapitale, nga 23 për qind të buxhetit total në rreth 11 për qind. Duke i rritur subvencionin nga rreth 30-32 për qind të buxhetit total ka shkuar rreth 40 e disa për qind me këtë strukturë të buxhetit që kemi parë gjatë këtij mandati nuk ka zhvillim, nuk ka as mbijetesë. Sa i përket konsumit tek familjet do të kishte nëse do të indeksoheshin pagat, pensionet, ndihmat sociale, subvencionet që i japin bujqve, pra do të indeksoheshin për rritje të normës së inflacionit për të mbrojtur fuqinë blerëse. Po mbaron mandati katër vjeçar dhe pagat po rriten vetëm me 6.8 euro si rezultat i ndryshimit të shkallëve tatimore, asnjë lëvizje tjetër, ndërkohë që çmimet e produkteve ushqimore, çmimi i energjisë elektrike dhe çmimi të gjitha mallrave është dyfishuar, por kryesoja është shporta e konsumit të përditshëm edhe i energjisë elektrike”, ka deklaruar Hoti.
Hoti ka bërë thirrje për një rishikim të menjëhershëm të pagës minimale teksa ka theksuar se standardi i jetesës ka pësuar një përkeqësim në krahasim me vitin 2020.
“90 për qind të familjeve gati 100 për qind të buxhetit e shpenzojnë në këto mallra elementare, sot standardi i jetës është më keq sesa kur ka qenë para katër viteve. Është tepër e vonshme dhe është e pa mjaftueshme edhe po bëhet pa profilin të procedurave ligjore sa i përket pagës minimale, është dashur që nga fillimi i mandati të zhvillohet dialogu social siç është zhvilluar në të kaluarën kur ulën së bashkë sindikatat, odat ekonomike edhe Qeveria, edhe në baza të rregullta vjetore rishikojnë pagën minimale. Është fakt që paga minimale nuk ka ndryshuar për shumë vite në të kaluarën, por gjatë mandati të kësaj Qeverie ka pasur ndryshime ka pasur ndryshime të mëdha në ekonomi për shkak të inflacionit, ka qenë tepër e nevojshme që të rishikohet paga minimale, pagat në sektorin publik, të gjitha ndihmat që jepen nga shteti për familjet, në mënyrë që të ruhet fuqia blerëse, sot njerëzit marrin paga 20-30 për qind më ulëta sesa që e kanë marrë në vitin 2020”, ka thënë Hoti.