Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar paditë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila.
- Ministrja Hajdari dorëzon padi ndaj Gazetës Nacionale, Buzhalës dhe zyrtarit të MINT-it
- Kusari – Lila dorëzon kallëzim penal ndaj Slvako Simiqit
Gjatë ditës së premte(sot), Kusari – Lila ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, për audio-incimzet, që po njihen si “Afera Zdravo”.
Ndërkaq, ministrja Hajdari ka dorëzuar padi kundër gazetës “Nacionale”, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu, në lidhje me audio-incizimet e publikuara së fundmi nga gazeta “Nacionale”.
E, e gjitha kjo sipas Hotit, është paradoksale, pasi asnjëra padi nuk ka të bëjë kundër atyre që thuhet në incizime.
“Dy padi janë dorëzuar sot në organet e drejtësisë nga dy eksponentë të pushtetit të majtë kundër atyre që potencialisht i kanë incizuar dhe atyre që i kanë publikuar disa biseda ku përfshihen këta eksponentë të pushtetit. Paradoksalisht, me aq sa u publikua në media, asnjëra padi nuk ka të bëjë kundër atyre që thuhen në incizime”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, kjo është situata absurde në demokraci, duke theksuar se një politikan normal do të kishte dhënë dorëheqje.
“Kjo është situata absurde në një demokraci. Një politikan normal, që ndjen përgjegjësi publike, do të kishte dhënë dorëheqje derisa të sqaroheshin këto ngjarje nga organet e drejtësisë.
Sigurisht se nuk pres nga këta demagogë të marrin ndonjë përgjegjësi. Sepse këta janë të njëjtit që e mbajnë në detyrë një ambasador që potencialisht mund të akuzohet për skandal milionësh, ndaj të cilit është kryer edhe hetim parlamentar.
Këta janë të njëjtit që nuk e shkarkojnë Kryeshefin e KEK-ut, por e mbajnë të suspenduar dhe e paguajnë pagë mbi 1500 euro në muaj, edhe pse me sa di ai është në paraburgim”, ka shtuar Hoti.