Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk është e favorshme për Kosovën.
Hoti në një intervistë për Kosovapress ka thënë se nuk e di ku i ka pasur mend Kurti apo ka qenë në ndonjë zor të madh kur sipas tij është dakorduar “që pa njohje reciproke të pranojë formimin e Asociacionit, të japë aranzhime të vetëqeverisjes të komunitetit serb dhe t’i jep status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
“Shqetësuese është fakti që është degraduar procesi që Kosova tash është detyruar të pranojë një marrëveshje që nuk është aspak e favorshme. Është detyruar të pranojë një marrëveshje, ku kemi marrë rrugën shumë të gjatë të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe njohjes reciproke. Nuk shihet në perspektivë se kur do të përmbyllet çështja me Serbinë. Çështjet që i kemi të hapura me Serbinë mbyllen vetëm atëherë kur ndodhë njohja reciproke. Dialogu ka qenë i strukturuar, i dakorduar në mes të palëve dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për njohje reciproke në qeverinë e kaluar. Tash degradon dhe jemi tek një marrëveshje që është teknike, bile edhe në ato elemente teknike ka probleme fundamentale. Janë kritikuar qeveritë e kaluara kur kanë arritur marrëveshje teknike në procesin e dialogut, të cilat kanë qenë aranzhime të përkohshme në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve që se kanë njohur njëra-tjetrën. Pra aranzhimeve të përkohshme, ndërkohë tash ky hynë në aranzhime që të mbesin aty për vite të tëra. Këto gjëra nuk janë sot për nesër, por do t’i përcjellin popullin e Kosovës për vitet e ardhshme”, ka deklaruar Hoti.
Ish-kryeministri Hoti ka përmendur disa nene të marrëveshjes që sipas tij janë të dëmshme për vendin.
Në mesin e tyre, ai thotë se është katastrofë vetëm diskutimi për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Ndërkohë ai ka vënë në mëdyshje edhe disa pika në nenin shtatë të marrëveshjes ku flitet për “vetëmenaxhim të komunitetit serb në vend” që sipas tij shkojnë përtej marrëveshjes për Asociacionin të vitit 2013 dhe asaj të parimeve më 2015.
“Këta pa njohje reciproke dakordohen ta zbatojnë marrëveshjen e Asociacionit, e cila në mënyrën si është shkruar në marrëveshje është e sigurt se shkon përtej marrëveshjes së vitit 2013 dhe marrëveshjes së parimeve të vitit 2015. Dakordohen që t’i japin status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dakordohen që të diskutojnë aranzhmane vetëqeverisje të komunitetit serb në Kosovë. Unë nuk e di a i kanë pas mend me veti kur janë dakorduar për këto gjëra, apo çfarë zori kanë pasur që kanë pranuar këtë marrëveshje”, ka theksuar Hoti.
Ai përmend edhe raportimin e djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku mes tjerash iu referua edhe një letre që ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini i është drejtuar ish-kryeministrit Mustafa se “Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.
“A po e vëreni që këta janë mashtrues tipik. Gjatë gjithë jetës së tyre politike vetëm kanë mashtruar. Është ushtruar dhunë brenda Kuvendit, institucioneve dhe nëpër sheshet e Prishtinës, kundër kësaj marrëveshje. Është shpallur Isa Mustafa tradhtar, kryeministrat paraprakë për çështjen nga më të ndryshmet. Ndërsa tash thirren në marrëveshjet që këta kanë bërë atëherë. E kanë mashtruar Kuvendit para dy-tri jave me ato gjashtë kushtet e Asociacionit. Ato siç ju kemi thënë në seancë, ato mund t’ia tregojnë vetës, elektoratit dhe Këshillit të Përgjithshëm kur i mbajnë të dielën. Por jo parterëve ndërkombëtar, ndërmjetësve, pasi nuk komunikohet me ultimatume me partnerët ndërkombëtarë”, ka vijuar ai.
Ndërkaq, sa i përket njohjes de-facto, ish-kryeministri thotë se atë e kanë kaluar moti dhe tash ishte mëse e rëndësishme njohja de-jure nga Serbia.
“Njohje de-facto të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë ka pasur që nga marrëveshjet e para, vitin 2013 kur janë nënshkruar marrëveshje mes dy shteteve. Kur është nënshkruar marrëveshja e vitit 2015 nga kryeministri Isa Mustafa, vetëm pika në atë marrëveshje ku thuhet se statuti i Asociacionit përpara se të dekretohet nga Qeveria e merr opinionin e Gjykatës Kushtetuese, çka nënkupton kjo. Po ashtu marrëveshja për vendosjen e zyrave ndërlidhëse Kosovë-Serbi, a është kjo njohje de-facto. Nuk është mirë që kryeministri aktual t’iu tregoj përralla njerëzve për njohjen de-facto, pasi këtë kemi kaluar moti”, ka shtuar Hoti.
Në anën tjetër, ai thotë se kryeministri Kurti i harroi edhe parimet nga e kaluara, “kur pranoi që në pikën dy të preambulës së marrëveshjes të tejkalohet e kaluar, ani pse Serbia ende s’ka kërkuar falje dhe s’ka paguar për shpërblimet për dëmet e luftës”.
“Në pikën e dytë të preambulës thuhet që duke tejkaluar të kaluarën dhe harruar atë, ndërkohë ky (Kurti) na ka qorruar sytë duke thënë se duhet me pas kërkim falje, shpërblime për dëmet e luftës, të pagjeturit dhe të tjera, kurse tash në preambulë e ka që palët pajtohen që shkojnë përtej të kaluarës dhe të shohin nga e ardhmja”, ka përfunduar Hoti.
Ndryshe, të martën, Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhej se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
“Marrëveshja, mes të tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”.
Tutje thuhet se para fillimit të takimit zyrtar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, kryeministri Kurti realizoi një takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin bisedoi për pritjet nga takimi.
Kryeministri e falënderoi Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.