Hoti për VV-në: Në vend të merret me investime, e njëjta i është kthyer propagandës së mashtrimit

Pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje se për 20 vjet në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit”, ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti





Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit.

Kështu ka thënë ai për RTV Dukagjini, pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje se për 20 vjet në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit”.

Kjo video vjen në ditën kur grevat janë pezulluar dhe mësimi ka filluar, dhe ditë në të cilën Qeveria e Kosovës nuk ka ekzekutuar pagat për mësimdhënësit.

Sipas Hotit, LVV-ja do të duhej që të promovonte investime të reja si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, kulturë e sektore të tjera, dhe jo të merret me “shantazh ndaj atyre që e kundërshtojnë atë”.

“Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovojë rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, LDK-ja nuk është e vetmja parti opozitare që i është kundërpërgjigjur deklaratës së VV-së.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një përgjigje për RTV Dukagjini, nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka theksuar se “prodhimi i fundit i agjitacionit dhe propagandës së VV-së, është shpërfaqje e metodave manipulative të tyre, metoda të përdorura gjatë tërë ekzistencës së tyre të fëlliqur në politikën kosovare”.

Pos tyre, edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se ai nuk u jep llogari “rrugaçëve”, por vetëm institucioneve të shtetit.

Një reagim i tillë i Halitit vjen pas publikimit të një videoje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën cilësonte opozitën si “shkatërrues të shtetit”.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Haliti ka thënë se në rast të posedimeve të mendimeve të tilla, të njëjtat, do të duhej të adresoheshin në gjykatë dhe jo përmes rrjetit social, Facebook.

“Akrobacionet të tipit të njerëzve të ligj, i quaj gjëra të cilat ata që i bëjnë duhet të japin llogari para Gjykatave të Kosovës. Përveç sharjeve dhe shpërndarjeve të ndihmave për interesa elektorale, nuk kanë bërë asgjë. Nuk po shoh projekte të realizuara nga ta në Kosovë, nuk ka spitale, mirëmbajtje të rrugëve, është ndërprerë ndërtimi i ujësjellësve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, në videon e VV-së,  shihet edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka shpallur greva të përgjithshme që nga 25 gushti, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se ka koalicion me PAN-in.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë, për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, por praktikisht në një qëllim”, thuhet në postimin e tyre.

Sipas tyre, opozita kishte vetëm një qëllim.

“Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE”, thuhet më tutje.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika