Hoti: Pres që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë Ligjin për Zyrtarët Publikë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar se edhe LDK sot do ta dorëzojë në Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publikë, por që sipas tij është ligj kundër zyrtarëve publikë dhe pret nga Gjykata shfuqizimin e tij

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka treguar se edhe LDK-ja do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese të premten e 30 dhjetorit, Ligjin për Zyrtarët Publikë, por që sipas Hotit është ligj kundër zyrtarëve publikë.

“Sot e dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili në fakt është ligj kundër zyrtarëve publikë”, ka shkruar Hoti.

Gjersa ka ofruar edhe pesë argumente të cilat vërtetojnë sipas tij që ky ligj është ‘kundër zyrtarëve publikë’.

“Ja disa argumente:

  1. Ligji e shton ndikimin politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë për shkak se: hiqet sistemi i karrierës, punësimi bëhet me mandat dhe futet rekrutimi i jashtëm për pozitat drejtuese.
  2. Pozitat drejtuese që kanë kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit, e cila gjë bie ndesh me parimin e “të drejtave ligjore të fituara”, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë.
  3. Transferimi i përkohshëm mund të bëhet pa pëlqimin e zyrtarit, e cila gjë krijon mundësi për keqpërdorim të ligjit për interesa politike e personale të drejtuesve të institucioneve.
  4. Procedurat disiplinore nuk kanë siguri dhe proporcionalitet, si dhe nuk dihen masat disiplinore specifike për çdo shkelje.
  5. Qeveria nuk është koordinuar me BE-në në këtë reformë të administratës publike ashtu siç kërkohet me nenin 120 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, ka shkruar Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndër të tjera, ka kritikuar këtë ligj pasi sipas tij ky ligj legalizon ndërhyrjet politike në punësim në administratë.

“Në të kaluarën ka pasur raste të ndërhyrjeve politike në punësim në administratë, por ato raste janë gjykuar apo janë në procedurë gjyqësore. Ndërkaq, me këtë ligj kjo ndërhyrje legalizohet”, ka theksuar Hoti.

Ndërkaq, në fund ai u shpreh se pret që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë këtë ligj.

“Me këtë ligj, partia në pushtet ka vetëm një qëllim: largimin e zyrtarëve dhe zëvendësimin e tyre me militantë që janë të dëgjueshëm. Pres që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë këtë ligj”, ka përfunduar Hoti.

Ndryshe, të premten e 30 dhjetorit edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.

PDK dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta dërgojë në orën 15:00.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika