Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të premten ka ngritur shqetësimin për rënien e prodhimit vendor në Kosovë. Ndërsa, kritikat e tij i ka pasur drejt ministrit të Bujqësisë në vend, Faton Peci.
Hoti e ka thirrur ministrin e Bujqësisë që të zbusë krizën për bujqit, e jo të shkruajë ‘pamflet me tallje e cinizëm’. Një thirrje e tij për ministrin Peci erdhi pasi mosrritja e mbështetjes për bujqit, sipas Hotit, do të dëmtojë prodhimin vendor.
“Që nga fundi i vitit 2021 e kam theksuar disa herë, se nëse nuk rritet menjëherë mbështetja për bujqit, rritja e konsiderueshme e çmimit të inputeve bujqësore (farëra, plehra, pesticide dhe ushqim të kafshëve) do të dëmtojë prodhimin vendor. Dje e kam përsëritur këtë shqetësim pasi çmimet e këtyre inputeve bujqësore po vazhdojnë të rriten”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Derisa po ngrinte kritika për ministrin e Bujqësisë, Hoti ka listuar të dhënat nga Dogana e Kosovës, të cilat tregojnë rënien e prodhimeve vendore dhe rritjen e inflacionit.
“Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqarojë se çfarë po bën për ta zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021:
- Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro).
- Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro).
- Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro).
- Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro).
Kjo rritje është tepër e madhe, pavarësisht rritjes së inflacionit. Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit”, ka vijuar më tej ai.
Pas renditjes së të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës, Hoti ka ironizuar me ministrin Peci. Ndërsa, është shprehur se në të ardhmën do të publikohen të tjera të dhëna që demaskojnë “mashtrimin dhe dështimin e Qeverisë”.
“Le t’ia sqarojë dikush ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisjeje”, ka shtuar Hoti.