Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës duhet të përqendrohet te zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se nisja e projekteve infrastrukturore është në interesin e Kosovës dhe qeveria e re duhet të nis menjëherë përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për t’u futur më tej në negociata me partnerët stratetegjik për zbatim e financim të plotë të projekteve.
“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shkruar se me krizën energjetike që po mbretëron, projekti i gazit ka marrë përmasa të sigurisë kombëtare.
“Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudhora për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit, dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, vendi për katë vite nuk ka përparuar.
“Katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti.