Ish-kryeministri dhe kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si “qeverinë më të dobët që nga shpallja e pavarësisë”.
Në Debat Plus, Hoti argumentoi se katër vitet e fundit kanë qenë një periudhë e dështimeve të mëdha për qeverinë aktuale, duke mos përmbushur zotimet elektorale dhe duke dëmtuar proceset shtetndërtuese.
“Nëse e krahasojmë me qeveritë e kaluara, këto katër vjet kanë qenë vitet e qeverisjes më të dobët që ka pasur Kosova nga shpallje e pavarësisë. E dyta nëse krahason këtë qeveri me zotimet që ka pasur, se kjo qeveri e ka nënshkruar një kontratë publike në zgjedhjet e vitit 2021 edhe unë besoj se duet të matet karshi atyre zotimeve e premtimeve që janë të shkruara.
Edhe nëse e krahason me ato premtime, rezultate jo të pakta, janë zero. Absolutisht zero.
Edhe e treta disa procese, që nuk shkruan sikur premtime elektorale, por janë zotime të shtetit të Kosovës. Ta zëmë të procesi i dialogut, te njohjet ndërkombëtare. Avancimi i demokracisë ne ven, që nuk i shkruan në kësi projekte, por është procese që ti duhesh me kontribu edhe kur je në opozitë edhe në pozitë. Edhe në këtë aspekt ka degraduar. Nëse e krahason me qeveritë paraprake është qeveria më e dobët. Nëse e krahason me premtimet e veta është zero realizim, pothuajse zero realizim”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, degradimi ka qenë i dukshëm edhe në fusha si avancimi i demokracisë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe dialogu me Serbinë.
“Edhe me proceset shtetndërtuese të Kosovës. Unë besoj që i ka dëmtuar në masë të madhe edhe në procesin e dialogut edhe politikën e jashtë. Edhe në marrëdhëniet ndërshqiptare. Por edhe në demokracinë e brendshme tek liria e medias, organizimi sindikal, toleranca që duhet ta kemi në debatin publik”, ka shtuar Hoti.