Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vlerëson se miratimi i buxhetit të vitit 2024, do të duhej të ishte lajmi kryesor i muajit, por që siç thotë ai, kjo nuk i bën përshtypje askujt.
Në një postim në Facebook, Hoti thotë se në tri vjet mandat, Qeveria aktuale ka menaxhuar mbi tetë miliardë euro, për të cilat thotë se s’ka asnjë shenjë se ku janë harxhuar ato mjete.
“Miratimi i buxhetit për 2024 do të duhej të ishte lajmi kryesor i ditës dhe i muajit. Por askujt nuk i bën përshtypje. Nga përvoja e tri viteve të fundit me këtë qeveri, secili e ka të qartë se mjetet e parapara në buxhet janë vetëm shifra abstrakte. Në tri vite mandat, kjo qeveri ka menaxhuar 8.63 miliardë euro. As shenjë nuk ka se ku janë harxhuar gjithë ato mjete. Njësoj siç nuk ka shenjë në Prishtinë nga 8 vite qeverisje lokale 2014-2021, ku janë shpenzuar rreth 400 milionë euro”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar të martën projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.
“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro”, tha Kurti.
Buxheti i shtetit të Kosovës për vitin 2023 ishte 3.2 miliardë euro.
Buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik parashihet të jetë 805 milionë euro, tha Kurti, duke shtuar se kjo është “30 për qind më lart se para pesë vjetëve”.
“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë”, tha Kurti.
Ai njoftoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë shumën 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro “apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht.”