Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria Kurti duhet të largohet nga pushteti, pasi, sipas tij, ka sjellë një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe “që i ngjason një krijese sikurse në Bosnjë”.
Në një postim në Facebook, ish-kryeministri ka kritikuar qeverinë Kurti duke thënë se e ka degraduar pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare.
“Këta që na sollën draft-statutin e asociacionit, që siç e thonë vetë i ngjason një krijese sikurse në Bosnjë, duhet larguar nga pushteti. Në vend se të kapeshin fort në parimet e dialogut për njohje, të zhvilluara nga qeveria e mëparshme e që respektoheshin nga aleatët, këta e degraduan pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, qeveria e ka pranuar draftin e tash s’mund t’i thotë jo, teksa ka shtuar se po kërkon të ikën nga qeverisja “duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi”.
“Nga tetori 2023, këta e kanë pranuar draftin. Nuk janë të zotë t’i thonë jo. Tani kërkojnë të ikin nga qeverisja duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi. Nëse bëhen bashkë si koalicion, me një pjesë të opozitës votohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka theksuar Hoti.