Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar qeveritarët, duke thënë se të njëjtit kanë prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se njohja reciproke është e pamundur në dialogun Kosovë-Serbi.
“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor të Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe, gazetari i The Economist, Tim Judah, ka publikuar një artikull lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, i cili titullohet “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”.
Ai ka intervistuar disa figura kyçe në mesin e politikanëve e aktivistëve që kanë impakt në zhvillimet politike, e një ndër ta është edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili është shprehur skeptik pas tensioneve të fundit në veri.
Ai ka theksuar se tani për tani Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
“Ai më tutje tregoi se, përderisa qëllimi i fundit ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’”, rrëfen Judah, duke perifrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier, transmeton Portali Dukagjini.
Hovenier ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë hap i përkohshëm drejt njohjes mes këtyre dy vendeve, si vende të pavarura.
“Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë angazhim si një hap të përkohshëm drejt saj… ka mundësi reale”, ka thënë Hovenier.
Lidhur me këtë temë, Judah e ka pyetur edhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka vlerësuar se në 20 vitet e fundit, tensionet ndërmjet dy shteteve nuk kanë qenë asnjëherë më të larta.