Hoti: Reagimi i Qeverisë për arrestimin e kreut të KEK-ut do të shkaktojë pasoja për Kosovën

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se raporti i BE-së për vendin dhe raportet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të nxjerrin në pah sjelljen e mazhorancës në Kosovë ndaj “arrestimeve lidhur me afera të mundshme korruptive” me një notë shumë negative

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimet e deputetëve dhe të zyrtarëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Nagip Krasniqi.

Hoti ka thënë se reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e edhe në Bashkimin Evropian.

“Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti, i cili aktualisht është deputet i LDK-së, ka thënë se edhe në raportin e BE-së për vendin, do të evidentohet me notë shumë negative sjellja e mazhorancës në Kosovë ndaj “arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni”.

“Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu, ai ka shtruar edhe disa pyetje për zyrtarët që kanë reaguar.

“Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje ‘gjoja’ reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, ka shkuar Hoti.

Sipas tij, Qeveria po tenton të pengojë drejtësinë dhe të minojë demokracinë.

“Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme jo ligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pa ndikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, ka shkruar tutje ai.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën e 19 prillit është arrestuar Nagip Krasniqi – kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, nën dyshimin se ka kryer tri vepra penale.

Në njoftimin e lëshuar Prokuroria Speciale thuhet se me urdhër të kësaj Prokurorie “Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet N.K. (Nagip Krasniqi) për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’  nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK,  ‘Ushtrimi i ndikimit’  nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Me urdhër të prokurorit, Krasniqi është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Arrestimi i Krasniqit është bërë pasi hetues nga Departamenti i Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, sot kanë bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika