Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se Serbia duhet të largoj nga komisioni, homologun e tij, Odaloviq, ashtu që ky komision të fillojë të ketë progres në gjetjen e personave të zhdukur.
Odaloviq nuk është takuar asnjëherë me Hotin dhe sipas këtij të fundit, Odaloviq ka qenë pjesë e aparatit të Millosheviqit. Andaj sipas Hotit, ai nuk mund të jetë pjesë ndihmëse e këtij kërkimi ngase nuk mund të jap informacione për çështjet që mund t’i ketë kryer vet.
Sipas Hotit, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur ka gërmuar 2 mijë e 700 vende dhe informacionet mbi lokacione të tilla dhe se ato vazhdojnë të rezultojnë të pasakta. Ndërkaq, në territorin e Serbisë janë gjetur 5 varreza masive.
“Bashkëpunimi nuk ka qenë në nivelin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Hoti, gjersa ka shtuar se për 15 vitet e fundit, në Serbi janë gjetur 64 persona të zhdukur.
Ai bënë të ditur se Komisioni ka informacione për lokacionet e varrezave në Serbi mirëpo, ky lokacion nuk mund të bëhet i ditur deri në verifikimin e tij dhe aktualisht, është në pritje të imazheve satelitore të vitit 1999, nga partnerët ndërkombëtarë.
Andin Hoti është i biri i ideologut kombëtar dhe aktivistit, Ukshin Hoti i cili ishte dënuar me 5 vite burg në burgun e Dubravës më 1994 dhe pas përfundimit të dënimit të tij me 16 maj 1999, u morr peng nga rojet e burgut. Për fatin e tij ende nuk dihet.