Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që dialogu të zhvendoset në Bruksel e në Uashington.
“Stop dialogut nëpër skuta e hotele të plazheve. Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington”, ka shkruar Hoti.
Reagimi i Hotit vjen pas publikimit të një fotografie nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, nga Kreta e Greqisë.
Kurti dhe Lajçak kanë biseduar për hapat e shtensionimit të situatës dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Moti ishte më i nxehtë se sa diskutimi ynë”, kishte shkruar Kurti.
Të mërkurën pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Këtë për RTV Dukagjini e ka konfirmuar këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
Sipas tij, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit.