Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që “krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri”.
Ai i ka propozuar katër pika për veriun, ndër to që hetimet pas sulmit terrorist në Banjskë të jenë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, duhet të ketë hetim edhe në territorin e Serbisë përmes një hetimi ndërkombëtar.
“1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm”, tha ai.
Po ashtu, e rëndësishme, sipas tij, është që të kthehet normaliteti në veri të Kosovës. Hoti ka theksuar se nevojitet të vendoset komunikim me serbët lokalë për t’i mbajtur të informuar dhe të sigurohen se e kanë mbrojtjen e nevojshme.
“2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm”, tha ai.
Sipas Hotit, “Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it”.
Ndërkaq, po ashtu, “zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në”.