Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Qeveria e Amerikës beson se duhet të ketë Asociacion të Komunave me shumicë serbe.
“Nëse e shihni Planin e Ahtisarit, Aneksin 2, ka disa indikacione që diçka e tillë mund të ekzistojë, pastaj në negociatat në Bruksel dhe marrëveshjet e Brukselit është zotimi se diçka e tillë të ekzistojë. Por, ne në bashkësinë ndërkombëtare kurrë nuk e kemi specifikuar se çka saktësisht duhet të jetë; cilat duhet të jenë kompetencat e saj sepse këtë gjë duhet ta përcaktojë qeveria e Kosovës, si dhe ta diskutojë në kontekst të dialogut”, ka thënë ambasadori amerikan për Klan Kosova.
Ai ka shtuar “Por dëshiroj të jem i qartë për diçka këtu, kam dëgjuar një numër të zyrtarëve kosovarë duke shprehur shqetësimin se mund të keqpërdoret ose të bëhet diçka si Republika Serbe. Dhe ky është shqetësim shumë i vlefshëm”.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët e tjerë pajtohen që asnjë nga tjerët, nuk dëshiron ta shohë diçka të tillë.
“Asnjëri nga ne nuk beson që ky është mekanizëm i përshtatshëm për të arritur objektivat që duam ta shohim Kosovën duke i arritur, që janë shtet shumetnik, demokratik me Kushtetutë funksionale dhe sistem qeverisës funksional”, ka shtuar ai.
Sipas tij, mund të ketë mekanizma, përfshirë edhe një Asociacion të komunave me shumicë serbe, që nuk e ka atë lloj të autoritetit ekzekutiv, që nuk e prish funksionimin e mirë të qeverisë, por që ua lejon komunave me shumicë serbe dhe udhëheqësve të tyre që t’i bashkërenditin punët me njëri-tjetrin, të konsultohen, të shkëmbejnë praktikat më të mira se si i përmbushin përgjegjësitë e tyre në kontekst të ligjit të Kosovës, në kontekst të Kushtetutës së Kosovës.
“Pra, do të vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e ShBA-së se do të shohim kah qeveria që të përkufizojë se me çka mund të punojë, çka mund të pranojë dhe ne do të bëjmë çka të mundemi duke punuar me Miroslav Lajçakun dhe të tjerët që të përpiqemi të shohim që kjo të jetë – ose që besojmë se është thelbësore që të jetë element i pakos së përgjithshme”, ka thënë Hoveiner.
Ambasadori amerikan shpreson të zbatohet siç duhet udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se kjo është arritja e parë e rëndësishme në dialog brenda disa viteve.
“Dhe ne e konsiderojmë atë të jetë arritje mjaft e rëndësishme. Kjo marrëveshje zgjedh një problem të pazgjidhur. Të gjithë qytetarët, banorë të Kosovës, pa marrë parasysh ku jetojnë, do të paguajnë faturat e energjisë. E vë energjinë elektrike në veri nën mbikëqyrjen e rregullatorit të Kosovës dhe është hap i rëndësishëm përpara që tregon se në fund të fundit, mund të arrihet përparim i rëndësishëm për të dy vendet përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin ne e mbështesim fuqimisht. Pra, ne lëshuam një deklaratë pak pas arritjes së marrëveshjes, duke shprehur mbështetjen tonë të fuqishme, që jemi shumë të kënaqur që është arritur dhe do të nxisë përparim të mëtejmë në dialog”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë që dëshiron që Kosova të integrohet në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
“Por, unë do të thosha se ne vazhdojmë të besojmë se dialogu është prioritet i rëndësishëm. Dëshirojmë të shohim Kosovën të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, ka shtuar ai.
Sipas tij, dialogu është mënyrë e rëndësishme për të arritur këtë dhe siç thotë ai, Kosova mund të marrë pjesë në mënyrë aktive, konstruktive në dialog dhe të arrijë përparim domethënës pa i sakrifikuar gjërat që nuk janë të negociueshme.
Ballkani i Hapur
Hovenier ka folur edhe për Ballkanin e Hapur, në emisionin “Rubikon”, për të cilën tha se është vendim i Kosovës se në cilat iniciativa rajonale të marrë pjesë e në cilat jo.
‘’Ne e dimë se Gejb është i dërguari special për rajonin, pra është përfaqësues speical për rajonin dhe zëvendës-ndihmës sekretari për Ballkanin Perëndimor, i cili njofton prioritetet dhe objektivat e politikave për Ballkanin Perëndimor dhe flet në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ne e përkrahim iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe shtojmë se Kosova la të drejtë të marrë vendimet e saj sovrane se në cilat iniciativa rajonale do të marrë pjesë dhe në cilat nuk do ta bëjë, pra është një vendim sovran për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka shtuar se Shtetet e Bashkuara i përkrahin iniciativat rajonale, të cilat i afrojnë së bashku shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe i afrojnë me tregun evropian.
Ai shton se iniciativat e reduktojnë dhe e lehtësojnë rrjedhën e lirë të mallrave, shërbimeve, të njerëzve, e fuqizojnë sundimin e ligjit dhe ne e përkrahim.
“Pra, e përkrahim Procesin e Berlinit, e përkrahim CEFTA-n, e përkrahim Tregun e Përbashkët Rajonal dhe e përkrahim Ballkanin e Hapur”.
Sipas Hovenierit, ata do ta përkrahin iniciativën e Ballkanit të Hapur deri në pikën që disa kushte të caktuara të plotësohen apo të vazhdohen.
“Një nga këto kushte për të cilën Gejb ka folur shumë hapur është liria dhe barazia e qasshme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor pa fusnota dhe kushte speciale, pra, në këtë rast Kosova do të trajtohej si çdo shtet tjetër në këtë iniciativë. Tjetra është se principet të jenë në linjë me kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në fakt puna që është bërë në lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të shërbimeve, kapitalit dhe çështjeve të sundimit të rendit dhe ligjit është në linjë me kriteret e Bashkimit Evropian për aq kohë sa këto kushte plotësohen ne e përkrahim iniciativën”, ka deklaruar ambasadori Hovenier.